“Ditët e Mustafit në Premierligë kanë mbaruar”, thotë legjenda e kampionatit anglez

Futboll 31 Tetor 2019 13:03

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher beson se ditët e qendërmbrojtësit të Arsenalit, Shkodran Mustafi në Premierligë janë të numëruara.

Reprezentuesi gjerman bëri disa gabime katastrofale në eliminimin e Arsenalit nga Liverpooli nga Kupa Carabao mbrëmjen e së mërkurës.

Ndeshja u mbyll me shifrat 5:5, derisa “të kuqtë” triumfuan falë gjuajtjes së penalltive me rezultat 5:4.

Mustafi kishte zhbllokuar takimin në “Anfield”, por duke realizuar në portën e tij, derisa pati edhe gabime të tjera gjatë këtij takimi.

Ai ishte kritikuar shumë edhe gjatë edicionit të kaluar dhe këtë sezon është përdorur nga trajneri Unai Emery vetëm në kompeticionet e kupës.

Carragher ndjen se largimi i Mustafit nga Premierliga është çështje kohe, për shkak se gabimet e tij të vazhdueshme kanë ndikim negativ në pjesën tjetër të mbrojtjes së “topçinjve”.

“Mendoj se ato ditë kanë mbaruar – Mustafi duke luajtur në Premierligë. Ai është thjesht një nga ata mbrojtësit (që bën gabime). Kur dikush e bën këtë i bën edhe të tjerët nervozë. Ju thjesht s’mund të luani lojën tuaj sepse jeni duke mbuluar gabimet e tij gjysmën e kohës”, është shprehur Carragher.

“Mendoj se sapo të shkojë do të jetë më mirë për të gjithë te Arsenali”, ka shtuar legjenda e Liverpoolit.

-->