Djokovic rezulton pozitiv në testin për koronavirus

Tenis 23 Qershor 2020 14:34

Tenisti serb, Novak Djokovic ka testuar pozitiv për koronavirusin pasi projekti i tij i tenisit Adria Tour mbajti dy ngjarje duke injoruar distancën sociale.

Numri 1 i botës është tenisti i katërt që del pozitiv me koronavirus gjatë 48 orëve të fundit, duke shtuar ankthin rreth të ardhmes së këtij sporti.

Djokovic ishte organizator dhe pjesëmarrës në turneun e “Adria Summer Tour” të zhvilluar fillimisht në Beograd (Serbi) e më pas në Zara (Kroaci) .

Nga ky turne kanë dalë pozitiv edhe bullgari Grigor Dimitrov, kroati Borna Coric dhe serbi tjetër Viktor Troicki.

Tenisti aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij në Beograd. Fillimisht ai refuzoi të kryejë tamponin, por duke parë rastet e pozitivitetit të kolegëve të tij u detyrua ta bëjë atë.

Përveç Djokovic pozitiv ka rezultuar edhe përgatitësi i tij fizik Marco Panichi si dhe trajneri i Dimitrov, Kristijan Groh.


-->