Dredhia që përdori një lojtar i Kolumbisë, për ta sabotuar penalltinë e anglezëve (Foto)

Futboll 04 Korrik 2018 12:25

Ndeshja e cila u zhvilluar mbrëmë me fillim në ora 20:00 në mes Kolumbisë dhe Anglisë, ishte edhe sfida e fundit e 1/8-ës së finales në Kupën e Botës “Rusia 2018”.

U nevojitën ekzekutimet e penalltive mbrëmë, në mënyrë që të kuptohej edhe kombëtarja e fundit çerekfinaliste e Botërorit, me ç’rast Anglia vazhdoi tutje duke e eliminuar Kolumbinë.

Mirëpo, në këtë përballje, është kapur edhe një moment sa qesharak në shikim të parë, por edhe mjaft mashtrues e hileqar, nga njëri prej futbollistëve kolumbian.

Në minutën e 54-të të ndeshjes, pas një ndërhyrjeje ndaj Harry Kane brenda zonës, gjyqtari amerikan i ndeshjes, Mark Geiger, tregoi në pikën e bardhë dhe kështu u akordua penallti për Anglinë.

Në këtë moment lojtarët e Kolumbisë e rrethojnë gjyqtarin Geiger, duke protestuar për penalltinë e dhënë, dhe e gjithë kjo tollovi ndodhi shumë afër pikës së bardhë, ku ekzekutohet njëmbëdhjetëmetërshi.

Ajo çfarë u pa më pas nga pamjet, është një dredhi apo hile nga lojtari kolumbian Johan Mojica, i cili derisa bashkëlojtarët e tij po protestonin te gjyqtari, ai u mundua përmes kramponëve të këpucëve të tij, ta dëmtonte vendin ku Kane do ta vendoste topin për ta ekzekutuar penalltinë, siç shihet në pamjet më poshtë.

Ky gjest i Mojicas, u komentua më pas në rrjete sociale, duke e cilësuar si një akt të neveritshëm, mashtrues e hileqar nga futbollisti kolumbian.

Megjithatë, sulmuesi i “Tre Luanëve”, Harry Kane, ishte i saktë nga penalltia, duke e kaluar Anglinë në epërsi, me ç’rast shënoi edhe golin e tij të gjashtë personal në këtë Botëror dhe mbetet kandidati kryesor për “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës “Rusia 2018”. /Insporti.com

 

-->