Drejtori i klubit thotë se do të luajnë kundër Milanit, ky është reagimi i Naser Ramaj

Futboll 18 Qershor 2019 20:21

Para pak orësh në në mediet kosovare u raportua se kampioni i Kosovës në futboll, KF Feronikeli është në bisedime me gjigantin italian Milan, për të zhvilluar një miqësore në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Insporti.com.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i klubit, Avdullah Tahiri i cili për “Reporteri.net” ka deklaruar se “Nikli” është në bisedime me “rosonerët”, transmeton Insporti.com.

“Po jemi në bisedime me klubin e Milanit për zhvillimin e një miqësoreje në Prishtinë, por kjo varet nga angazhimet që i kemi në garat evropiane si ne ashtu edhe klubi italian. Ne ende jemi në negociata me ta, nuk varet gjithçka nga dëshira jonë, por klubi është ende në bisedime”.

Por, duket se drejtori Tahiri dhe presidenti i klubit Naser Ramaj nuk janë në të njëjtat “valë”, pasi ky i fundit i kontaktuar nga Insporti e ka mohuar një gjë të tillë.

Presidenti Ramaj ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë se Feronikeli do të zhvillojë një miqësore me Milanin.

“Nuk ka asgjë rreth kësaj pune, asgjë konkrete, do të ju informojmë me kohë”, ka thënë Ramaj për Insportin.com.

Kjo është një tjetër “vaki” në futbollin e Kosovës pasi nuk është rasti i parë kur zyrtarët e një klubit nuk janë në të njëjtën “valë” me presidentët apo trajnerët.

KF Feronikeli është në fazën përgatitore për ndeshjen kundër Lincoln Red Limps në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 25 qershor. /Insporti.com/

 

 

 

-->