Drejtori i Napolit flet për Amir Rrahmanin

Futboll 02 Prill 2020 20:05

Drejtori sportiv i Napolit, Gristiano Giuntoli ka dhënë arsyetimin e tij se, përse kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani “është mbrojtësi i duhur” për skuadrën e njohur italiane.

Në një prononcim për “Sky Sport Italia”, zyrtari i Napolit theksoi se 25-vjeçari “është i aftë në markim dhe i përshtatet më së miri ideve të trajnerit Gennaro Gatusso”, i cili e bazon lojën tek prapavija.

“Blemë Rrahmanin në janar, sepse është shumë i zoti në markim, por gjithashtu di të dalë në fazën sulmuese nga prapavija. Kjo është diçka thelbësore për Gatusson. Me një trajner si ai, i cili dëshiron gjithmonë ta nisë lojën nga mbrojtja, ne dëshironim që t’i siguronim lojtarë që i përshtaten ideve të tij”, u shpreh Giuntoli.

Rrahmani do të kalojë te Napoli pas këtij sezoni, ndërsa do të mbyllë këtë edicion me Veronën. Ai u ble nga Napoli për shifrën e 14 milionë eurove.

-->