Drejtori sportiv i Napolit flet për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar

Futboll 24 Tetor 2020 08:45

Elseid Hysajt i përfundon kontrata me Napolin në fund të këtij sezoni.

Shumë është përfolur në mediat italiane rreth së ardhmes së kapitenit të Shqipërisë, teksa ka ardhur edhe komenti i drejtorit sportiv të klubit.

Në një prononcim për Radio Kiss Kiss, Cristiano Giuntoli ndalet te situata e mbrojtësit shkodran, duke dhënë sinjal të qartë që Napoli nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e tij.

“Kemi kryer një bisedë me Hysajn. Ai ka dhënë shumë për ne dhe mund të japë akoma në të ardhmen. Negociatat me të dhe agjentin e tij po vazhdojnë. Jemi në situatë pandemie dhe kjo ka ndikimin e vet.

Po përpiqemi t’i bëjmë të ditur që Napoli beson tek ai, por i kemi thënë edhe që është shumë e nevojshme të tregojmë maturi sa i përket aspektit financiar“, deklaron drejtuesi i klubit të Serie A.

-->