Drita mund Ballkanin, Prishtina triumfon te Ferizaj – renditja pas xhiros së 10-të

Futboll 20 Tetor 2019 16:01

Drita e ka mundur 2:0 Ballkanin në një përballje të tensionuar për kreun e IPKO Superligës, ndërkohë që Prishtina e mundi Ferizajn për t’u kthyer te fitorja pas dy ndeshjeve.

Izair Emini dhe Gilberto Fortunato shënuan nga një herë secili në pjesën e parë, për fitore e Dritës të dielën në Gjilan.

Kjo fitore nënkupton se Gjilani përfaqësohet momentalisht me dy skuadra në kreun e Superligës, pasi Drita dhe Gjilani grumbullojnë nga 21 pikë në pozitat një dhe dy, përkatësisht.

Ballkani dhe Llapi ngelin prapa tyre me nga 20 pikë secila.

Në takimin tjetër Prishtina e mundi Ferizaj 2:0 në udhëtim, duke e rigjetur rrugën e fitores pas një humbjeje dhe një barazimi në dy javët e kaluara.

Meriton Korenica në minutën e 23-të dhe Ahmed Januzi në të 86-të realizuan për fitoren e pestë të bardhekaltërve këtë sezon në ligë.

Klubi nga kryeqyteti tani grumbullon 17 pikë në pozitën e pestë, katër më pak se liderët Drita dhe Gjilani.

Ferizaj, ndërkohë, ngel në pozitën e nëntë, që dërgon një rang më poshtë, Ligën e Parë.

-->