Drita sot para sfidës së radhës në Evropë

Futboll 17 Shtator 2020 08:23

Kampioni i Kosovës, Drita, sot para vetes do të ketë sfidën e radhës në garat evropiane.

Duke filluar nga ora 20:00, Drita do të përballet me skuadrën e Sileksit, në kuadër të Europa Ligës.

Lojtarët e Dritës ju janë nënshtruar testeve për koronavirus, ku të gjithë kanë rezultuar negativë.

Në këtë ndeshje skuadrës nga Gjilani mund t’i mungojë futbollisti, Festim Alidema, i cili është lënduar në ndeshjen miqësore të zhvilluar kundër Skënderbeut.

Para ndeshjesm trajneri Ardian Nuhiu tha se do të jetë një ndeshje e vështirë për shkak se skuadra e Dritës nuk ka filluar ende të luajë, qoftë ndonjë miqësore në krahasim me Sileksin që ka luajtur vazhdimisht prej javësh në kampionat.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, Sileksi ka bërë ndeshje të mira viteve të fundit, gjithashtu janë në përparësi sepse janë në ritëm të ndeshjeve pasi ka filluar kampionati në Maqedoninë e Veriut për dallim nga ne që ende nuk kemi filluar kampionatin”, ka thënë trajneri Nuhiu.

Ndeshja me Sileksin, do të jetë e raundit të dytë kualifikues. Drita kishte fituar në raundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve ndaj Inter d’Escaldes.

Ndeshja finale e raundit paraeliminator, ndaj Linfield nuk u zhvillua për shkak të lojtarëve me koronavirus te kampi i Dritës, dhe klubi kosovar e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar, 0:3.

-->