Dueli i radhës i Tyson Furyt – kjo është oferta e çmendur nga Arabia Saudite

Sporte luftarake 27 Shkurt 2020 13:14

Katër pjesëtarë të familjes mbretërore në Arabinë Saudite kanë qenë në Las Vegas fundjavën e kaluar për të ndjekur “live” duelin e madh të peshës së rëndë mes Tyson Fury dhe Deontay Wilder.

Sipas “Daily Mail” ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë 400 milionë dollarë për të zhvilluar në shkretëtirë duelin e radhës së boksierit britanik.

Fury fitoi me “KO teknik” në raundin e shtatë ndaj Wilder, duke u rikthyer kampion bote (kategoria WBC).

Sipas Daily Mail, anëtarët e familjes mbretërore ia kanë lënë në dorë Fury zgjedhjen për rivalin e radhës, por natyrisht që ata preferojnë një sfidë të tretë me Wilder ose një përballje britanikësh me Anthony Joshua.

Prince Khaled, i pranishëm në këtë duel, ka bërë me dije se i preferuari i tij është Joshua, në një duel që do të unifikonte titujt kampionë bote në këtë Divizion.

Arabët janë gati të paguajnë 400 milionë dollarë për këtë sfidë edhe pse nuk dihet ende përqindja që do të përfitojë Fury dhe rivali i tij.

Gjithsesi, bëhet fjalë për një shumë marramendëse, që do të mbushte plot xhepat e boksierit britanik.

-->