Durant dhe Thompson shënojnë 63 pikë për Warriors

Basketboll 17 Prill 2018 10:50

Golden State Warriors nuk e llogarit aspak San Antonion. Kampionët në fuqi të NBA treguan të gjithë potencialin e tyre edhe në sfidën e dytë të rundit të parë play-off ndaj Spurs duke triumfuar me rezultatin 116-101, për ta çuar në 2-0 serinë e përballjeve mes tyre.

Në Oracle Arena, skuadra teksane rezistoi për vetëm 1 pjesë, sepse në fraksionin e dytë Golden State e dominoi në çdo aspekt sfidën duke hedhur një hap të rëndësishëm drej kualifikimit në gjysmëfinalet e konferencës.

Edhe pse vazhdon të vuajë mungesën e yllit të skuadrës Kawhi Leonard, San Antonio u mbështet te loja e mirë e LaMarcus Aldridge për ta vënë disi në vështirësi skuadrën e trajnerit Steve Kerr dhe për ta mbyllur pjesën e parë në avantazhin e 6 pikëve me shifrat 53-47.

Aldridge në fakt rezultoi pikëshënuesi më i mirë i sfidës me 34 pikë dhe 12 kwrcime, por diferencën në këtë përballje e bëri dyshja e Golden State Kevin Durant-Klay Thompson.

I pari realizoi 32 pikë, ndërsa Thompson shtoi 31 të tjera duke bërë që te kampionët e NBA të mos ndjehej aspak mungesa e Stephen Curry-it që vazhdon të jetë i dëmtuar. U ndal në 17 fitore radhazi ecuria perfekte e Philadelphia 76-ers mes sezonit të rregullt dhe play-offit, pasi skuadra nga Pennsylvania u mposht në sfidën e dytë nga Miami Heat brenda në Wells Fargo Center me rezultatin 103-113.

Formacioni nga Florida me këtë sukses barazoi në 1-1 serinë e përballjeve mes tyre, me Miamin që u mbështet fuqishëm te loja e veteranit Dwyane Wade i cili koleksionoi në total 28 pikë 3 asiste dhe 7 rikuperime. Philadelphias në krahun tjetër nuk i mjaftuan 24 pikët e Ben Simmons dhe 23 të kroatit Saric. Tashmë seria e përballje do të transferohet në Florida me Miamin që do ti luajë në shtëpi dy ndeshjet e ardhshme.