Dy armiqtë e vjetër bëhen miq, ja plani i Yamaha për 2020-ën

Moto GP 25 Dhjetor 2019 12:54

Vetëm një muaj pasi deklaroi se do të largohej përgjithnjë nga sporti, shoferi spanjoll Jorge Lorenzo ka bërë prapakthehu.

Jo vetëm kaq por pas 3 sezonesh zhgënjyese, dy te Ducati dhe një te Honda, 5 herë kampioni i botës në Moto GP ka vendosur të rikthehet te Yamaha, motori ku bëri emër e fitoi gjithçka.

Lorenzo, 33 vjeç, do të luajë detyrën e shoferit kolaudator te motori ku triumfoi para se të largohej pas polemikave me Valentino Rossin.

Këtë herë Lorenzo do të ndihmojë “armikun” e vjetër dhe jo vetëm, pasi ai do të japë informacione për motorin e ri Yamaha.

Jorge Lorenzo do të jetë i pranishëm në testet që Yamaha do të kryejë në shkurt (në pistën e Sepang) bashkë me dy shoferët e saj zyrtarë, Valentino Rossin dhe Maverick Vinales.

Madje ka gjasa që në ndonjë garë Lorenzo të jetë në pistë me “wild card” në rast se mungojnë shoferët zyrtarë.

-->