“Dy herë m’ka fotografu dikush prej këtyre më falni në shprehje “llaskucave” të Agim Ademit”/ Rrëfehet zyrtari i FFK-së rreth incidentit me kryetarin Ademi

Kombëtarja 16 Mars 2022 18:18

Zyrtari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Artan Govori ka reaguar pas raportimeve se është sulmuar fizikisht nga kryetari i këtij institucioni, Agim Ademi.

Ishte fillimisht kryetari i FFK-së, Agim Ademi që e mohoi sulmin fizik, duke thënë se ishte vetëm një debat

Kurse, pak më vonë, edhe FFK-ja doli me komunikatë duke theksuar se pati vetëm debat mes Ademit dhe Govorit, duke e mohuar një sulm fizik.

Por, ndryshe mendon Artan Govori. Ai theksoi se ishte një sulm i vogël, por i cili është dashur të denoncohet në polici.

“Dorën ne qafë, syrin pak ma ka grrithë. Ka dashtë me ma kapë faqen në atë mënyrën shumë të egër”, i shpjegoi Govori lëndimet.

Tutje, ai shpjegoi edhe arsyet që çuan deri te ky incident i sotëm.

“Është e vërtetë që s’ka pas rrahje. Ka pasë lidhje me shantazhe të llojit të Agim Ademit që i bën tash e sa kohë, sidomos ndaj meje.

Po të fotografojnë, të përcjellin njerëzit. Të sheh dikun. Pse po rrin me të? Thu ti këto vjet i kam bërë e duhet ky me më tregu me kon me nejt, e çka me bo. Pse po bëhet ajo, kjo pyetje është mirë me ju drejtu Agim Ademit, se ai mendon me na caktu neve me kënd me nejt e çka me bo na.

Dy herë m’ka fotografu dikush prej këtyre më falni në shprehje “llaskucave” të Agim Ademit tu nejt me dikë që nuk i pëlqen atij. Ma ka dërgu atë foto. I thash a bën me ma tregu njeriun që po i kryn këto punë se s’po ndihem i lirë kur po dal në qytet, pastaj e filloi me atë fjalorin e tij të zakonshëm prej krimineli.

Ai i ka problemet e veta, telashet e veta, që tri vite e gjysmë kam qëndru neutral, por po duket se erdh koha me zor me shti me dal para kamerave, që nuk kam dalë që 15 vite që punoj në Federatë. Nuk ka qenë sulm i madh”, u shpreh Govori për Rtv Dukagjinin.

-->