Dy lojtarë të NFL-së akuzohen për grabitje të armatosur

Sporte tjera 15 Maj 2020 16:12

Policia në Florida po kërkon dy lojtarët e NFL-së (Ligës së Futbollit Amerikan) pasi ata dyshohet se kanë grabitur disa njerëz në një festë në shtëpi.

Deandre Baker i New York Giants dhe Quinton Dunbar i Seattle Seahawks thuhet se kanë grabitur mysafirët e tjerë duke përdorur armët.

Rreth 12 mijë dollarë dhe orë dore të vlefshme 25 mijë dollarë janë marrë nga mysafirët tjerë.

Asnjë person nuk është arrestuar ende, ka njoftuar BBC. Një zëdhënëse e policisë ka thënë se autoritetet janë në kontakt me NFL-në dhe me avokatin e njërit lojtar.

“Ka përpjekje për t’i detyruar ata që të paraqiten”, ka thënë zëdhënësja.

Sipas urdhër-arrestit të policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të krijuar gjatë festës në shtëpi, ku të ftuarit po luanin me letra dhe videolojëra.

Baker thuhet se mori një armë para se ai, Dunbar dhe një person tjetër, për të cilin raportohet se mbante maskë, filluan të marrin gjërat e vlefshme dhe paratë nga të pranishmit. Tre grabitësit janë larguar me vetura të ndryshme.

-->