Dy prezantueset e sportit fillojnë punën në FFK

Futboll 12 Janar 2021 10:15

Alba Morina dhe Maki Bajrami kanë hequr dorë nga profesioni i gazetarisë. Morina dhe Bajrami për vite me radhe kanë qenë prezantuese të sportit, por tashmë puna e tyre do të jetë krejtësisht e re. Puna e re do të jetë në Federatën e Futbollit të Kosovës, raporton Insporti.com.

Të hënën mbrëma gazeta “Zëri” raportoi se Alba Morina është punësuar në FFK, të cilën e ka konfirmuar me anë të një deklarate.

“Unë veç se kam filluar angazhimin tim profesional në FFK, si pjesë e ri formatimit në këtë institucion. Puna ime do të jetë ngushtë e lidhur me fushat në të cilat kam eksperiencë të gjatë pune (media, ngjarje dhe marketing) dhe ndihem tejet mirë që FFK ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin tim dhe më është dhënë mundësia të kontribuojë në këto fusha në FFK”.

Në “ri formatimin” e FFK-së duket se do të luajnë rol të madh dy ish prezantueset e sportit.

Morina deri më tani ka qenë prezantuese e sportit në televizionin “Kanal10” në emisionin “Kampionët”, ndërsa Bajrami në Klan Kosova në emisionin “Sport Shou”.

Ndryshe, Alba Morina është vajza e trajnerit të mirënjohur Arbnor Morina.

Në këtë fazë ndryshimesh, nga Federata e Futbollit të Kosovës është larguar Dituria Hoxha. Hoxha ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së marketingut, por që kontrata e saj nuk i është vazhduar e cila ka skaduar më 31 dhjetor të vitit 2020.

FFK në kohë aderimesh ka rikthyer edhe ish përzgjedhësin Albert Bunjakin. /Insporti.com/

-->