Dy vjet, katër klube – kaq para ka fituar Sokoli

Futboll 24 Dhjetor 2019 19:25

Trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli, apo siç njihet në futbollin tonë “Profa”, për dy vjet i ka ndërruar katër klube.

Sokoli në dy vitet e fundit nuk ka arritur të stabilizohet duke u bërë trajner i katër skuadrave.

Pas përfundimit të sezonit vjeshtor, Sokoli arriti marrëveshje me klubin nga kryeqyteti Flamurtari, por bashkëpunimi i tyre zgjati vetëm një javë.

Insporti ka bërë një hulumtim rreth pagave të trajnerit të tij, që ka pasur me këto klube.

Për këto dy vite Sokoli drejtoi KF Llapi, KF Ferizaj, KF Prishtina dhe KF Flamurtari.

 

 

“Billi” me klubin e Llapit kishte kontratë për një sezon dhe pagë rreth 1000 euro. Një zyrtar i Llapit për Insportin ka treguar se Sokoli ka marrë 10 mijë euro në total për një sezon.

Te Llapi ishte emëruar trajner i skuadrës për sezonin 2018/19, por qëndroi vetëm një muaj. Madje, ai edhe para fillimit të sezonit ishte larguar, por pas bisedimeve me kryesinë e klubit ishte rikthyer. Kujtojmë se në atë kohë drejtor sportiv i Llapit ishte trajneri aktual i klubit, Tahir Batatina.

Pas periudhës me Llapin, ai vendosi të rikthehet në klubin e Ferizajt me misionin për ta shpëtuar nga rënia.

Më 23 janar të këtij viti ishte emëruar trajner i Ferizajt.

Sipas burimeve të Insportit në këtë klub Sokoli është paguar rreth 1500 mijë euro, ndërsa kishte nënshkruar kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër (1+1).

Ndërsa, 9 mijë euro ka marrë kesh (para dhënie).

 

Sokoli arriti objektivin e klubit për siguruar mbijetesën edhe për një sezon në Superligë. Megjithatë, pas përfundimit të sezonit të kaluar ai u largua nga Ferizaj, përkundër bisedimeve dhe takimeve të shumta me drejtuesit e klubit për të arritur një marrëveshje të re, por që e ka refuzuar.

Nuk vonoi shumë rikthimi i tij në Superligë, pasi arriti marrëveshje me klubin më të madh në Kosovë, KF Prishtina. Edhe me Prishtinën nuk zgjati shumë. Pas dy ndeshjeve që e drejtoi, ai u largua nga drejtimi i skuadrës. Së bashku me drejtuesit e klubit në një konferencë për shtyp njoftuar për largimin e tij për shkaqe shëndetësore.

Sokoli me Prishtinën kishte kontratë deri në fund të këtij sezoni me mundësi vazhdimi.

Burimet e Insportit pranë klubit të Prishtinës bëjnë të ditur se paga e tij ishte rreth 3000 euro.

Pak kohë pas largimit nga Prishtina, problemet shëndetësore u larguan nga “Billi” dhe arriti marrëveshje me klubin tjetër nga kryeqyteti, KF Flamurtari.

Marrëveshja mes tij dhe Flamurtarit ishte kontratë për gjashtë muaj me mundësi vazhdimi. Edhe nga Flamurtari, Sokoli ka pranuar para dhënien, ashtu siç bën me çdo klub.

5000 euro kesh dhe pagë rreth 2000 euro në muaj, në total 15 mijë euro për gjashtë muaj, ishte kontrata me klubin e Flamurtarit.

 

Por, këta numra kanë mbetur vetëm në letër, pasi kontrata ende nuk ishte nënshkruar nga Sokoli, sipas burimeve të Insportit.

Aventura e tij te klubi kuqezi zgjati vetëm një javë. Më 13 dhjetor Flamurtari prezantoi Sokolin si trajner të tyre, ndërsa shtatë ditë më vonë ndodhi largimi i tij.

Arsyeja e Sokolit për largimin ishte për mos përputhje të konceptit me drejtuesit e klubit. /Insporti.com/

 

 

-->