E ardhmja e Bekim Isufit vendoset të mërkurën

Futboll 09 Dhjetor 2019 14:51

Bekim Isufi dhe kryesia e Ferizajt të mërkurën (11 dhjetor) do të takohen për të biseduar rreth të ardhmes së tij në klub, shkruan Insporti.com.

Isufi për Insportin ka deklaruar se për të ardhmen e tij do të vendoset ditën e mërkurë. “Ende nuk e di se çfarë do të ndodhë, ne dje kemi zhvilluar ndeshjen e fundit për vitin 2019. Të mërkurën do të takohem me kryesinë për të biseduar, aty do të vendoset e ardhmja ime. Në atë takim do të sqarohem për gjithçka.

Ish trajneri i Dritës pas ndeshjes së fundit me Drenicën në kuadër të Superligës së Kosovës, deklaronte se nuk mund të vazhdon punën me klubin e Ferizajt, pasi ka humbur besimin në projektin e klubit.

 

“Nuk e besoj se do të vazhdojë në këtë mënyrë. Kam pasur mundësi për tu larguar edhe më herët, por nuk kam dashur ta lë ekipin. Kur kam ardhur te Ferizaj kam menduar për një projekt më serioz dhe më afatgjatë, por gjërat nuk ndodhën ashtu, ndaj do të jetë e vështirë që të vazhdojë edhe më tej”, ishte deklarata e Isufit për mikrofonin e  “Super Sport Kosova” pas fitores ndaj Drenicës.

Isufi ishte emëruar trajner i “Ujqërve” vetëm disa ditë para fillimit të kampionatit. Ferizaj sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dhjetë me 18 pikë. Ndërsa dje, është eliminuar nga Digitalb Kupa e Kosovës pas humbjes nga Liria.

Ndryshe, Ferizaj ka pasur probleme të vazhdueshme gjatë sezonit, pasi ishte përballur edhe bojkotin e futbollistëve për shkak të pagave.

Ferizaj është privatizuar në fillim të sezonit dhe 51 përqind të aksioneve ka legjenda e futbollit anglez, Brian Deane me grupin e tij të cilët kanë premtuar investime të mëdha në klub. Premtime këto të mbetura ende vetëm në letër. /Insporti.com/

-->