E bujshme, Franca eliminon SHBA-në

Basketboll 11 Shtator 2019 15:22

Kombëtarja amerikane në basketboll për meshkuj është eliminuar nga Kampionati Botëror i basketbollit për meshkuj, turne që po zhvillohet në Kinë. Amerika u mund 89-79 nga Franca në ndeshjen çerekfinale. Kombëtarja e “gjelave” avancon në gjysmëfinale, ku do të luajë ndaj Argjentinës.

Eliminimi i Amerikës, kombëtares së famshme “dream team”, ishte surprizë edhe pse në përbërje të saj nuk janë yjet e NBA-së. Gjithsesi, trajneri Gregg Popovich grumbulloi mjaft talente, që nuk arritën të japin atë që pritej, duke e kthyer këtë aventurë në një dështim.

Ndeshja ishte në përgjithësi e ekuilibruar dhe pas barazimit 18-18 në çerekun e parë, ishin francezët që mbanin një epërsi të lehtë. Amerika rikuperon në çerekun e tretë, por 10-minutëshi i fundit ishte fatal për ta. Franca shkëputet dhe fiton 89-79 falë 22 pikëve të Fournier dhe 21 të Gobert.

Amerika është ekipi kampion, por që tashmë do ta dorëzojë titullin shumë herët, duke mos shkuar dot as në gjysmëfinale. Ngushëllimi i vetëm për Amerikën është kualifikimi në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.