E bujshme, Napoli përjashton Hysajn nga lista

Futboll 04 Gusht 2019 09:02

Te Napoli kanë hequr dorë përfundimisht nga Elseid Hysaj dhe divorci mes palëve është i pashmangshëm.

Duke parë bllokimin e merkatos në klube të ndryshme mendohej se mos kishte ndonjë mundësi për mbrojtësin që të vazhdonte të paktën edhe në këtë sezon te napolitanët për të bindur Ançelotin.

Por vendimi i fundit i klubit bën të qartë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe në klub po bëhen gati t’i japin lamtumirën.

Sipas mediave italiane, Napoli ka vendosur që Hysaj të mos udhëtoje me skuadrën drejt SHBA, ku do të marrë pjesë në një turne promocional veror. Hysaj do të mbetet në Itali në pritje të transferimit, ndërsa shokët e tij të skuadrës do të luajnë një ndeshje me Barcelonën në Miçigan.

Në mediat italiane qarkullojnë emrat e tre destinacioneve të mundshme për futbollistin e përfaqësueses shqiptare.

Roma, Totenhem dhe Juventus janë tre variantet më të mundshme që kanë mbetur për të, por në të gjitha rastet si zgjedhje e dytë e këtyre klubeve që po ndjekin për momentin objektiva të tjerë në treg.

-->