E çuditshme, hendbollisti i Kosovës pretendon se kjo palestër është e ndërtuar mbi varreza

Superliga 26 Prill 2020 17:44

Kastriot Jupa është pjesë e Besa Famgas që tetë vite, duke qenë pjesë e sukseseve të shumta. Përveç titujve të shumtë, hendbollisti nga Gjakova ka fituar edhe shumë çmime individuale.

Hendbollisti i Besës dhe reprezentuesi i Kosovës e ka fituar pesë herë çmimin e lojtarit më të mirë në Kosovë në gjashtë vitet e fundit.

Ai në një bisedë me gazetën “Metro” ka folur për dominimin e klubit pejan në hendbollin kosovar, duke shtuar se mezi po pret t’i kthehen ndeshjeve dhe dominimit.

“Që 8 vite jam pjesë e KH Besa Famgas, një klub që njihet në Kosovë për dominimin e madh në hendboll dhe që është një nga klubet më të organizuara në sportin kosovar. Unë dhe shokët mezi po presim të kthehemi në palestër dhe ta vazhdojmë dominimin e Besës që është tash e sa vite”.Image

Tutje 27 vjeçari ka zbuluar edhe arsyen pse ai dhe shokët e tij nganjëherë pretendojnë se palestra sportive ‘Karagaçi’ në Pejë është e ndërtuar mbi varreza.

“Në vitet e fundit ne kemi qenë kampion edhe në lëndime, duke mos pasur fare fat. Jemi përballur me lëndime të rënda, thuajse të gjitha lëndimet ishin në ligamente të gjurit dhe shumë përfunduan në spital me intervenime kirurgjikale. Çuditërisht të gjitha lëndimet kishin ndodhur në palestrën ‘Karagaçi’ dhe në lojtarë shpeshherë kemi bërë shaka, duke thënë se palestra është e ndërtuar ‘mbi varre’, por fatmirësisht të gjithë jemi rikuperuar” – ka thënë Jupa.

Ndryshe, Besa Famgas ka zhvilluar 18 ndeshje në Superligë në këtë sezon, duke regjistruar 18 fitore dhe janë lider me 36 pikë.

-->