E çuditshme kjo që i ka ndodhur tifozit të Tottenhamit

Futboll 09 Maj 2019 18:36

Durimi është një virtyt i rëndësishëm, veçanërisht në një ndeshje futbolli. Detyra e një tifozi është që të mbështesë skuadrën e zemrës, pavarësisht nga rezultati, gjatë gjithë ndeshjes. Nuk është bukur të largohesh nga stadiumi në mes të takimit, edhe pse rezultati nuk është pozitiv.

Zakonisht, nuk është një gjest i bukur kundrejt skuadrës, madje  ndonjëherë mund të kthehet në një vetëndëshkim, siç ka ndodhur në rastin e tifozit të Tottenhamit, i cili është larguar nga “Johan Crujiff Arena” pas pjesës së parë, me rezultatin e përgjithshëm të ndeshjes që ishte 3-0 për Ajaxin.

Tottenham është futur në fushë me mentalitetin e duhur në pjesën e dytë dhe ka rimarrë në dorë ndeshjen, duke realizuar një përmbysje të pabesueshme. Gjithsesi, tifozi i anglezëve ka zgjedhur të largohet pas pjesës së parë. Duke mos qenë i kënaqur, ka bërë një selfie që e ka postuar në Instagram.

Përveçse se ka harxhuar paratë e biletës për t’u futur në stadium dhe ato për udhëtimin në Holandë, ai ka humbur edhe mundësinë për të parë golin e tretë të Lucas Moura, që i ka dhuruar Tottenhamit finalen e parë të Champions League. Siç mund të imagjinohet, populli i internetit nuk e ka falur.