E Fundit/ NBA dhe FBK nisin ligën e parë të Junior NBA në Kosovë

Superliga 18 Shkurt 2022 16:55

Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) shpalosën sot krijimin e partneritetit të ri për ligën e parë të basketbollit Junior NBA në Kosovë.

Liga inauguruese për djem dhe vajza të moshave 11-14 vjeçe do të fillojë me tërheqjen e shortit, që do të mbahen të martën, më 22 shkurt, në Prishtinë, me pjesëmarrjen e ish- lojtarit të NBA-së Jiri Welsch. Ngjarja do të pasojë me 30 shkollat fillore pjesëmarrëse nga e tërë Kosova, të cilave do t’u caktohet një ekip i NBA-së dhe të cilat do të pajisen me fanella të ekipit përkatës të NBA-së për ndeshjet e basketbollit.

Ngjashëm me NBA-në, ekipet e Junior NBA të Ligës së Kosovës do të ndahen në dy konferenca dhe gjashtë divizione. Liga do të zgjasë nga marsi deri në maj të vitit 2022, me tetë skuadrat më të mira nga çdo konferencë që kualifikohen për play-off. Dy kampionët e konferencave do të takohen më pas në finale në maj për të luajtur për titullin e parë të Ligës Junior NBA të Kosovës.

“Bashkëpunimi me NBA-n është një nga ndërmarrjet më të vlefshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kryesisht për shkak të fuqisë së markës që NBA-ja sjell në këtë projekt”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. “Jemi të lumtur që programi i Ligës së Junior NBA në Kosovë do t'u ofrojë mundësi vajzave dhe djemve në mbarë vendin që të shfaqin talentin e tyre për basketboll, ashtu që një ditë t'i kthejnë ëndrrat e tyre në realitet”.

“Jemi shumë të lumtur që filluam partneritetin me Federatën e Basketbollit të Kosovës për të promovuar zhvillimin e basketbollit të të rinjve përmes startimit të ligës së parë Junior NBA në vend”, tha zëvendës-presidenti i NBA-së për Operacionet e Basketbollit për Evropë dhe Lindje të Mesme, Neal Meyer.

“Rritja e pjesëmarrjes së djemve dhe vajzave është pjesë e misionit tonë për të promovuar vlerat e punës në grup, respektin dhe përfshirjen, duke frymëzuar dhe lidhur brezin e ardhshëm të lojtarëve dhe tifozëve përmes basketbollit”.

Junior NBA është program global i basketbollit për të rinjtë i ligës NBA, që iu mëson djemve dhe vajzave aftësitë themelore dhe vlerat thelbësore të lojës – punën në grup, respektin, vendosmërinë dhe komunitetin – në nivelin bazë, në përpjekje për të ndihmuar në rritjen dhe përmirësimin e përvojës basketbollistike të të rinjve për lojtarët, trajnerët dhe prindërit.

Gjatë sezonit 2021-2022, Junior NBA do të përfshijë më shumë se 37 mijë të rinj nga 28 vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme. Për më shumë informata për Ligën Junior NBA të Kosovës, tifozët mund të vizitojnë jr.nba.com dhe të ndjekin Junior NBA në Facebook (Facebook.com/jrnba), Instagram (@jrnba) dhe Twitter (@jrnba).

-->