E gjithë vëmendja në Llapi – Feronikeli, Prishtina për fitore ndaj Trepçës ’89

Futboll 15 Maj 2019 11:03

Xhiroja e parafundit e elitës së futbollit kosovar nis sot me katër sfida shumë të rëndësishme për titull e mbijetesë.

Lideri i klasifikimit, Feronikeli, luan në udhëtim te Llapi që tashmë është dorëzuar për titullin kampion.

Deklaratat e Tahir Batatinës se “Prishtina nuk bëhet kampion” dhe kërkesat e tifozëve të Llapit që skuadra të mos japë maksimumin ndaj Feronikelit, kanë ngjallur disa dyshime para kësaj sfide.

Mirëpo, terreni i “Zahir Pajazitit” do t’i largojë të gjitha dyshimet sot prej orës 16:00.

E në të njëjtën kohë, Prishtina është nikoqire e Trepcës ’89. Mitrovicasve iu duhet medoemos minimalisht një pikë për të shpresuar mbetjen në elitë, derisa gabimi eventual i Prishtinës dhe triumfi i Niklit do ta bënte kampion ekipin nga Drenasi.

Kësisoj, djemtë e Mirel Josës janë të detyruar të fitojnë. Derisa në Podujevë e Prishtinë diskutohet titulli, në Skenderaj luhet një sfidë për “jetë a vdekje”.

Drenica e Ballkani zbresin në fushën e “Bajram Aliut” për të marrë pikët e ikjes së barazhit. Për qëllim të njëjtë do të luftojë edhe Flamurtari, që viziton sërish Gjilanin, kësaj radhe për t’u ballafaquar me Dritën.

Të gjitha ndeshjet fillojnë prej orës 16:00.