E nxitur nga suksesi i 17-vjeçareve, Kosova U19 kërkon suksesin në kualifikimet në Kroaci

Kombëtarja 17 Tetor 2021 23:45

Futbollistet e reja të Kosovës të dielën kanë marrë rrugë drejt një tjetër vendi për të luajtur ndeshje kualifikuese. Pas suksesit që Kosova U17 e arriti në Luksemburg, është radha e përfaqësueses U19 të Kosovës që të kërkojë suksesin në kualifikimet për Evropian.

Kosova U19 të martën e luan ndeshjen e parë në raundin e parë kualifikues për “Euro 2022”. Njëjtë si Kosova U17, 19-vjeçaret janë në Ligën B dhe synojnë që për raundin e dytë të kalojnë në Ligën A. Këtë e kishte arritur përfaqësuesja U17, duke e fituar grupin ku ishin edhe Bjellorusia, Luksemburgu e Gjeorgjia. Madje ndaj Gjeorgjisë 17-vjeçaret kishin shënuar fitore historike, 13:0. Është fitorja më e thellë në gara ndërkombëtare e përfaqësueseve apo skuadrave kosovare.

Kosova U19 ndeshjet i luan në Poreç të Kroacisë. Të martën takohet me Letoninë, nga ora 11:00. Më 22 tetor luan me Lihtenshtajnin, ndërsa më 25 tetor me Kroacinë. Fituesi i grupit promovohet në Ligën A për raundin e dytë kualifikues. Gjasa për promovim ka edhe prej pozitës së dytë. Vetëm përfaqësuesja me bilancin më të mirë e vendit të dytë në Ligën B avancon në Ligën A. Janë gjashtë grupe në Ligën B.

Trajneri që udhëhoqi Kosovën U17 drejt suksesit e drejton edhe Kosovën U19. Kushtrim Munishi, dikur sulmues i spikatur, pranon se suksesi me U17 ka motivuar lojtaret dy vjet më të mëdha.

“Sot kemi arritur në Kroaci dhe e kemi zhvilluar stërvitjen e parë. Stërvitje tjetër kemi nesër, ndërsa të martën fillojmë me ndeshje”, ka thënë Munishi për KOHËN nga Kroacia, të dielën. “Synimet tona janë për të avancuar në Ligën A. Kemi ardhur me atë synim”, ka shtuar Munishi.

Vjet nuk janë zhvilluar kualifikime, ndërsa në vitin 2019 Kosova U19 ishte e fundit në grup. Në vitin 2018 ishte e treta, por pa avancuar. E treta ishte edhe në vitin 2017, në debutim. Tani synohet hapi para.

“Suksesi me U17 është motiv për ne dhe për futbollistet tona. Duhet të shfrytëzojmë këtë moment të mirë dhe të shfaqemi në nivel të lartë edhe me U19. Por grupi nuk është i lehtë. Të gjitha përfaqësueset janë zhvilluar dhe nuk ka ndeshje të lehtë. Ne kemi punuar mirë dhe besojmë se jemi gati”, ka shtuar Munishi.

Ai nën urdhra ka 14 lojtare të klubeve të vendit dhe gjashtë që luajnë në klube evropiane.

Ndërkohë Shqipëria U19 është në grup tjetër në Ligën B. Përballet me Moldavinë, Andorrën dhe Uellsin. Ndeshjet e Shqipërisë luhen në Andorrë.

-->