E pabesueshme sesa anëtarë të Juventusit janë izoluar për shkak të koronavirusit

Futboll 12 Mars 2020 21:49

Kampioni i Italisë në futboll, Juventusi, ka njoftuar se plot 121 persona të këtij klubi janë në izolim.

Bëhet fjalë për izolim vullnetar në shtëpitë e tyre të lojtarëve, pjesëtarëve të stafit, drejtorëve dhe personave tjerë të punësuar në klubin e madh italian.

Të mërkurën mbrëma ishte bërë e ditur se futbollisti i Juventusit, Daniele Rugani është prekur nga koronavirusi. Ai i ishte nënshtruar testimit, që doli pozitiv.

Është izoluar edhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli. Ai ka dërguar një video-mesazh nga shtëpia e tij lidhur me situatën për koronavirusin.

“Ne në Juventus duam të japim kontributin tonë për të kaluar këtë emergjencë. Së pari këtë e bëjmë duke respektuar rregullat dhe duke kërkuar nga të gjithë të bëjnë këtë. Rrini në shtëpi. Unë jam në izolim vullnetar në shtëpi që nga dje. Por ne duam dhe duhet të bëjmë më shumë. Kemi nisur një kampanjë për të mbledhur fonde për të përkrahur stafin mjekësor të qendrave në arenën tonë. Për këtë kërkojmë kontributin tuaj. Në këtë fazë të vështirë, ndonëse në distancë, ne qëndrojmë të bashkuar dhe të gjithë së bashku do të kalojmë këtë moment të ndjeshëm”, ka thënë Agnelli.

-->