“E padrejtë t’i jepet titulli Liverpoolit, kampionati duhet të shpallet i pavlefshëm”

Futboll 16 Mars 2020 17:13

Alan Shearer e konsideron si të padrejtë që Liverpooli të shpallej kampion ende pa përfunduar sezoni.

Premier League është pezulluar deri më 3 prill si pasojë e coronavirusit, ndërsa akoma nuk dihet se kur mund të rinisë sezoni i futbollit.

Kjo ka bërë që zëvendëspresidenti i West Ham Unitedit, Karren Brady, të sugjerojë përfundimin e kampionatit kështu siç është. Megjithatë, legjenda e Newcastle United, Alan Shearer mendon se Liverpooli nuk i ka mbledhur pikët e nevojshme që të shpallet kampion.

“Nëse sezoni mbyllet këtu, atëherë nuk mund të kesh një fitues ose humbës në këtë moment. Do të ishte e ashpër dhe e tmerrshme për disa klube, sidomos për Liverpoolin”.

“Nëse nuk mund t’i luash të gjitha ndeshjet e sezonit, atëherë nuk mund të japësh tituj ose të rrëzosh dikë nga liga”, ka shkruar Shearer për tabloidin britanik “The Sun”.

Sipas tij, nëse nuk mund të përfundohet kampionati, atëherë duhet të shpallet i pavlefshëm, sepse lideri nuk e ka fituar matematikisht titullin.

Kujtojmë që momentalisht, Liverpooli është 25 pikë larg vendit të dytë.

-->