E papritur, Liverpooli sakrifikon Shaqirin për Muniain, shqiptari  mund të përfundojë te kjo skuadër spanjolle

Futboll 01 Nëntor 2018 23:28

Sipas raportimeve nga mediet britanike, por edhe ato spanjolle, interesimi i Liverpoolit për blerjen e sulmuesit spanjoll Iker Muniain ka hapur dyert për largimin e Xherdan Shaqirit. Referuar të njëjtave burime, Muniain është subjekt i një oferte të “Të Kuqve” për t’u transferuar në “Anfield”, kur kontrata e tij aktuale me Athletic Bilbaon të skadojë në fund të sezonit.

I konsideruar si një sulmues i krahut të majtë, por i aftë për të luajtur kudo në vijën e sulmit, por edhe në mesfushën e avancuar, Muniain do të përforconte edhe më shumë sulmin e shkëlqyer të Jurgen Klopp, që ishte përmirësuar edhe në fillim të këtij sezoni, me blerjen e verës, Shaqiri, nga Stoke City.

Futbollisti i Përfaqësueses së Zvicrës iu bashkua treshes Mohamed Salah, Roberto Firmino dhe Sadio Mane në sulmin e Liverpoolit. Që kur u bashkua me gjigantin anglez, Shaqiri ka luajtur katër ndeshje si titullar, duke realizuar edhe një gol, por nëse do të arrihej një marrëveshje me Muniain, sipas të gjitha gjasave, 27-vjeçari shqiptar do të kalonte madje në rezervë të dytë.

Referuar “El Gol Digital”, Klopp mund të sakrifikojë Shaqirin për të garantuar blerjen e Muniain, me skuadrën e Real Betisit të gatshme për të synuar afrimin në La Liga të ish-futbollistit të Bayern Munichut dhe Interit, kur ai të konsiderohet i mundshëm.

Nga ana tjetër, Athletic shpreson ende të mund të rinovojë kontratën me Muniain, që skadon në fund të këtij sezoni, ndonëse 25-vjeçari mund të tundohet nga oferta e Liverpoolit. Në garë për Muniain mësohet se është edhe Napoli.