E pazakontë: Mjekët thanë se kthehet pas 3 javësh, ylli i Barçës shërohet për 4 ditë

Futboll 02 Mars 2021 16:22

Barcelona luan nesër një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e sezonit. Katalanasit sfidojnë Sevillan në ndeshjen e kthimit të Kupës, kur të parën e kanë humbur me shifrat e pastra 2-0.

Thuajse e sigurt para kësaj ndeshje ishte mungesa e Pedrit, i cili u dëmtua në ndeshjen me andaluzët në La Liga më datë 26 shkurt. Pas ekzaminimeve mjekët vunë re një tërheqje muskulore në pjesën e poshtme të këmbës së majtë.

Sipas tyre Pedrit do i duhej rreth tre javë për t’u kthyer në fushë, duke bërë të sigurt edhe mungesën në ndeshjen e kthimit ndaj PSG, kur Barcelonës i duhet një remundtada akoma më e madhe.

Por Pedri ka thyer të gjitha pritshmëritë. Koeman tregoi në konferencë për shtyp se ai është stërvitur normalisht me ekipin sot dhe është gati për ndeshjen e nesërme, megjithëse për arsye sigurie nuk pritet ta nisë nga minuta e parë.

-->