E rrahu Alvarezi – Jacobs dënohet me 1.4 milionë dollarë për këtë arsye

Boks 05 Maj 2019 21:13

Boksieri meksikan Saul “Canelo” Alvarez e fitui me vendim unanim të gjyqtarëve duelin për titujt kampionë bote të peshës së mesme ndaj amerikanit Daniel Jacobs.

Sfida e zhvilluar në Las Vegas ka qenë mjaft e fortë, aq sa fituesi ishte enigmë deri në momentin që ra gongu i fundit.

Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Canelo Alvarez, 115-113, 115-113 dhe 116-112, duke u shpallur kështu kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e mesme dhe unifikon titujt e këtij Divizioni.

Meksikani mbrojti titujt e kategorive WBA Super, WBC dhe IBF, duke i rrëmbyer Jacobs titullin e kategorisë WBA Regular.

Një duel që nisi mirë për Alvarezin, që në rundet e parë ishte më superior në ring, duke qenë dominues, por pa mundur ta rrëzojë me “KO” Jacobsin. Kjo zgjati deri në raundin e 8-të, kur Jacobs nis gradualisht të marrë masat dhe të reagojë, duke fituar rundet e mbetura.

Sfida u bë mjaft interesante në rundet e fundit, pasi Jacobs sheh se ka mundësi të përmbysë, por nuk ka më kohë.

Por, për ta bërë humbjen edhe më të rëndë për Jacobsin, është fakti se ai u dënua me 1.4 milionë dollarë.

Në matjet zyrtare para duelit, Jacobs peshoi 78.7 kilogramë, që gjë është vlerësuar si peshë e tepërt.

Shefi ekzekutiv i ‘Golden Boy Promotions’, Oscar de la Hoya zbuloi për ESPN se në peshimet zyrtare, Alvarezi peshoi 76.6 kilogramë kurse Jacobs e tejkaloi limitin duke peshuar 2 kilogramë më shumë.

Andaj, nga 14 milionë dollarët që ka fituar për këtë duel, Jacobsit do t’i merren 1.4 milionë dollarë si ndëshkim. /Insporti.com/