E vërteta mbi akuzat për përdhunim ndaj Neymarit zbulohet pas 30 ditësh

Futboll 02 Korrik 2019 10:25

Autoritetet braziliane kanë bërë të ditur se policia ka kërkuar për më shumë kohë, edhe 30 ditë, në lidhje me hetimet për akuzat e një gruaje ndaj yllit të Paris Saint-Germainit, Neymarit, të cilin gruaja në fjalë e akuzon për përdhunim.

Zyra për Medie e Ministrisë Publike në Brazil tha të hënën se policia në Sao Paulo do t’i ketë edhe 30 ditë të tjera për t’i hetuar pretendimet e Najila Trindades, e cila e akuzon Neymarin për përdhunim.

Trindade shkoi në stacionin policor në Sao Paulo më 31 maj për ta ngritur një akuzë kundër Neymarin, për të cilin pretendon se e përdhunoi në një hotel në Paris më herët gjatë atij muaji.

Braziliani 27-vjeçar i mohon këto akuza dhe insiston se ai është viktimë e shantazheve dhe e një kurthi.

Neymari po hetohet nga policia braziliane në Rio de Janeiro edhe për publikimin e disa fotografive private të akuzueses së tij në rrjetet sociale pa autorizimin e saj.

Menjëherë pasi akuzat e Trindadas ishin bërë publike, Neymari i publikoi bisedat me gruan në Whatsapp – përfshirë këtu disa fotografi intime – në tentim për të dëshmuar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë konsensuale.

Megjithatë, Trindade pretendon se ajo në fillim kishte shkuar me dëshirë te Neymari, mirëpo futbollisti brazilian ishte bërë shumë agresiv dhe e kishte lënduar gjatë kohës sa ata ishin në një hotel në Paris, transmeton Expressi.

Pas asaj nate në hotel, Trindade i kishte shkruar Neymarit në Whatsapp sërish duke i thënë se ishte e zhgënjyer që gjërat përfunduan në atë mënyrë, mirëpo Neymari thotë se mavijosjet në trupin e saj nuk ishin faji i tij pasi që edhe ajo e kishte kërkuar një gjë të tillë.

Një video është publikuar online ku shihet Neymari me Trindaden, e cila fillimisht qëndron e shtrirë me yllin e PSG-së në shtrat dhe pastaj papritmas fillon ta godasë atë.

Policia franceze i ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë së atij hoteli në Paris dhe së shpejti pritet të zbulohet nëse akuzat e Trindade janë të vërteta. Braziliania ka thënë nëpër media se policia është e korruptuar

-->