Edhe është “baba” edhe ka ide (VIDEO)

Basketboll 29 Prill 2018 21:10

Cleveland Cavaliers kanë shpëtuar nga eliminimi në xhiron e parë të plejofit të Konferencës Lindore të ligës NBA, pas fitores në ndeshjen e shtatë ndaj Indiana Pacers.

Ndeshja dëshmoi edhe një herë të gjitha problemet që i ka Clevelandi në mbrojtje, në rotacion të lojtarëve, përzgjedhje të shutit dhe po thuajse në gjithçka që lidhet me punën e trajnerit Tyronn Lue.

Mirëpo, ndeshja po ashtu dëshmoi që LeBron James, kur vijnë momentet vendimtare është lideri i pakontestueshëm i ekipit të tij dhe lojtari më i mirë i gjeneratës.

Cleveland fitoi 105:101 kurse James ndeshjen e përfundoi me 45 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime, duke rrëmbyer edhe 4 topa, për 44 minuta në parket.

Në këtë ndeshje LeBron theu rekordin e Scottie Pippenit për numrin e topave të vjedhur në ndeshje të plejofit në NBA dhe dha një nga ato shfaqje që do të mbahen në mend dhe do të përfliten gjatë, meqë për herë të dytë në karrierë shënoi 45 pikë në një ndeshje të shtatë të një serie të plejofit.

LeBroni po ashtu tashmë ka bilanc 13-0 në xhiron e parë të plejofit përgjatë karrierës së tij dhe me 22 ndeshje të plejofit me mbi 40 pikë është i dyti prapa Michael Jordanit, i cili ka 38 ndeshje me këso bilanci të shkëlqyeshëm.

Në xhiron e dytë të plejofit të Lindjes Clevelandi do të takohte me Toronto Raptors. Toronto janë favorit në letër bazuar në formën e tyre në fund të sezonit të rregullt, por edhe në bazë të cilësisë së treguar në plejof.

Sidoqoftë, me LeBronin në këso forme Clevelandi është ekip që askush nuk mund ta llogarisë si autsajder.