Edon Zhegrova dhuron shou kundër Stuttgartit

Futboll 14 Korrik 2019 08:10

Edon Zhegrova e ka shpërndarë një video në llogarinë e tij në Instagram, ku ai shihet duke u dribluar mbrojtësit e Stuttgartit gjatë një ndeshjeje miqësore të Baselit. 

Baseli pësoi disfatë me rezultat 3:2 në ndeshjen miqësore kundër Stuttgartit, e cila u zhvillua sot në stadiumin “St.Jakob-Park”, në kuadër të turneut parasezonal, në përgatitje për sezonin e ri.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Edon Zhegrova, ishte titullar në këtë ndeshje dhe përkundër që nuk arriti të shënojë gol, për t’ia siguruar skuadrës së tij fitoren apo barazimin, ai e dëshmoi talentin e tij.

Faqja “Passion for Possession Soccer” e postoi një video të një aksioni të Zhegrovës në këtë ndeshje, duke iu referuar kosovarit si “Messi i ri”. Zhegrova e shpërndau këtë postim edhe në llogarinë e tij në Instagram.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Baselit, Edon Zhegrova, i kishte komentuar më herët vlerësimet e njerëzve që thonë se stili i tij i lojës është i ngjashëm me atë të Lionel Messi. Ai ishte shprehur se nuk pajtohet me këto vlerësime.