Edouard “zjarr” në debutim, Crystal Palace i shkakton humbjen e parë Tottenhamit

Futboll 11 Shtator 2021 16:17

Pas tre fitoresh në po kaq javë dhe 270 minutash me portën e paprekur, bie edhe Tottenhami, që pëson humbjen e parë sezonale në derbin londinez ndaj Crystal Palace, ku “u tradhtua” nga Tanganga dhe më pas nxori plot tre herë topin nga rrjeta.

Me tre lojtarë që mungonin për shkak të angazhimit me përfaqësueset e tyre amerikano-latine dhe sulmuesin Son që nuk ishte gati për shkak të një dëmtimi në gju, trajnerit Espirito Santo iu desh të bënte disa ndryshime në formacionin e parë.

Gjithsesi “Spurs”-at vuajtën jo pak agresivitetin e vendasve dhe nuk arritën të kërcënojnë asnjëherë portën e Crystal Palace ndërsa kthesa e ndeshjes erdhi në minutën e 58’, kur mbrojtësi Tanganga la të tijtë me 10 futbollistë pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Kaq mjaftoi që Crystal Palace të merrte kontrollin e lojës dhe të zhbllokonte ndeshjen me anë të Zaha në minutën e 75-të, ndërsa më pas skenën e mori sulmuesi Odssone Edouard, i cili zbriti në fushë në minutën e 84-t dhe arriti të shënojë dy herë në debutim, duke kompletuar fitoren 3-0.

-->