Ekskluzive: Antonio Toma rrëfen të gjitha për karrierën e tij – refuzova Interin për Vushtrrinë

Futboll 03 Tetor 2019 12:33

Ditën e nisi me një kafe në mëngjes, unë pi shumë kafe dhe këtu ju i bëni të mira” këto ishin fjalët e para që trajneri italian, Antonio Toma të bisedës që bëra me të në mëngjesin e bukur të ditës së mërkurë nën rrezet e diellit.

Stërvitja e Vushtrrisë ishte e para parë që të zhvillohej në ora dhjetë të mëngjesit, ashtu dhe ndodhi. Filloi me sinjalizimit të filikaqës që ai mbante në duart e tij. Futbollistët dhe asistentët pasi morën instruksionet nga ai, se si do të zhvillohej seanca stërvitore, ai ulet në bankinë dhe fillon të vëzhgojë futbollistët e tij.

 

Në një rrëfim ekskluzivisht për Insportin, Toma ka folur për pasionin e tij për futbollin, karrierën e tij, drejtimin e Vushtrrisë dhe jetën në Kosovë.

Me të përfunduar seanca stërvitore, ishte koha për të dëgjuar rrëfimin e tij. Një njeri i pasionuar për futboll edhe pse  56 vjeçar, ai thotë se ende ndihet si një djalosh i ri dhe ka ende për t’i ofruar futbollit. Një takim biznesor i presidentit të Vushtrrisë, Bajrush Kajtazit me agjentin e tij bëri që ai të përfundonte në bankinën e ish kampionit të Kosovës duke refuzuar mundësin që t’i bashkohet stafit të Antonio Contes në Inter. “Menaxheri im ishte këtu në Prishtinë për biznes dhe gjatë një takimi me presidentin, presidenti i kishte thënë se i duhej një trajner, ai më ka propozuar mua. Unë kur u njoftova për ofertën e Vushtrrisë, isha duke e shqyrtuar edhe ofertën e Interit për t’iu bashkuar stafit të Antonio Contes, por nuk u mendova gjatë dhe bëra gati valixhet për të udhëtuar drejt Kosovës, pasi më ka pëlqyer idea që të udhëheqi një skuadër si kryetrajner”.

Të refuzosh një skuadër si Inter për Vushtrrinë, këtë mund ta bëjë vetëm një njeri si Toma, i pasionuar pas zejës së trajnerit.

Ai filloi të më shpjegonte se ditët e para si trajner i Vushtrrisë ishin të vështira, pasi kishte gjetur skuadrën në gjendje jo të mirë.  “Nuk është e lehtë pasi e kam gjetur skuadrën në një gjendje shumë të pa zakontë. Këtu e kam gjetur një skuadër me futbollistë të talentuar dhe të rinj në moshë, por që kanë frikë për të luajtur dhe frikë ndaj kundërshtarëve. Gjëja e parë që kam bërë në këtë skuadër, është motivimi për të luajtur futboll dhe të kenë guxim për përballjen me kundërshtarët dhe që të zhvillojmë lojë ofanzive, loja ofanzive është filozofia ime”.

 

Dy humbjet e fundit ndaj Ballkanit dhe Prishtinës i ka përjetuar më ndryshe, pasi sipas tij futbollistët e tij kanë mundur të bëjnë më mirë.

Ndeshja me Ballkanin, sipas tij nuk do të përfundonte me rezultatin 5:2, po të tregohej më i vëmendshëm futbollisti Drilon Fazliu. “Më vjen keq shumë fillimsht për humbjet, por njëkohësisht edhe prej presidentit të klubit, Bajrush Kajtazit, pasi ai para pak javësh ka blerë klubin dhe është një person me mentalitet fitues, e dëshiron gjithmonë fitoren. Në ndeshjen me Balllkanin të cilen e kemi humbur 5:2, kur ishte rezultati ende 1:0 unë ua kisha thënë futbollistëve që ta markojnë futbollistin e Ballaknit me numrin nëntë (Arbër Hoxha) por që nuk e kanë bërë dhe humbja na erdhi për shkak të tij, duke na shënuar dy herë. Momentin që ishim baras 1:1, Drilon Fazliu kishte një mundësi të artë për shënuar golin e epërsisë dhe po ta shënonte atë rast, ndeshja nuk do të përfundonte me fitoren e Ballkanit. Ndeshja me Prishtinën, pësuam gol në fillim të ndeshjes, më saktësisht  pasi kishte kaluar një minutë e pesëdhjetë sekonda. Pas golit, futbollistët e skuadrës time nuk i kanë zbatuar skemat që kishim përgatitur në stërvitje. Djellon Dragusha kishte mundësi të mirë për shënim, por gaboi. Po ashtu, edhe portieri Manxholli nuk ishte i saktë me degazhimet e tij, ani pse i kishim përgatitur edhe degazhimet se si duhej bërë ndaj Prishtinës. Para se pësonim golin e dytë, ne kishim dy raste tejet të mirë por pritjet e portierit të Prishitnës, Visar Bekaj ishin të mrekullueshme, pritja e tij e pare ishte e klasit të lartë dhe pastaj mbrojtësi im shënoi një autogol të jashtëzakonshme. Filozofia ime e lojës është që të dalim në fazën ofanzive duke nisur lojën nga këmbët e portierit, pastaj i mbetet sulmuesve dhe nuk varet më nga unë”.

Gjatë bisedës për Superligën e Kosovës dhe në veçanti për Vushtrrinë, ai flet me pasion të madh dhe e ndjenë se Kosova ka futbollistë tejet të talentuar, por gjithashtu mëkat që nuk kanë shansin të tregojnë kualitetin e tyre duke i kritikuar trajnerët e skuadrave. “Unë mendoj se këtu në Kosovë bëhet një gabim shumë i madh nga trajnerët, për shkak se këtu janë futbollsitët e lindur me fibra të bardha, që ndryshe në zharkonin e futbollit njihen si fibra të arta. Futbollistët e lindur me fibra të arta shquhen për shpejtësi dhe atë çfarë kam mundur të shohë në kampionatin e Kosovës, 80 përqind janë futbollistët me këto fibra. Për mua, është një mëkat i madh që mos të përdoren këta futbollistë dhe para tyre të luajnë futbollistë që janë mbi moshën 30 vjeçare”.

Tekniku italian kishte mbetur i mahnitur me talentin e Blend Baftiut të Ballkanit dhe se në skuadrën e Vushtrrisë po ashtu ka futbollistë të talentuar, të cilët mund të arrijnë nivelin e Serie A.

Në pyetjen të cilën ia bëra se a ndihet i rrezikuar për shkarkimin e tij të mundshëm, ai me shumë qetësi dhe maturi u përgjigj duke thënë se është në dorën e presidentit, edhe pse jam munduar dhe gjithmonë bëjë më të mirën. “Unë mundohem të jap maksimumin në çdo stërvitje dhe unë kam bërë disa ndryshime në mënyrën e lojës, nuk mund të them që futbollistët janë të dobët por më mirë të them se nuk kanë kurajo të luajnë. Ndeshjen ndaj Dritës do të mundohemi të bëjmë më të mirë, megjithatë edhe presidenti e di se na duhen edhe katër futbolllistë”.

Edhe pse kjo nuk i pëlqeu, ai komentoi cilësinë e Superligës. “Ende nuk i kam parë të gjithë skuadrat, skuadrat që jam përballur dhe kam mundur të shohë është një dallim shumë i madh. Disa skuadra kanë futbollistët të kualitetit të lartë, të tjerat kanë futbollistë normal apo të zakonshëm”.

Vushtrria sot zhvillon ndeshjen ndaj Dritës në udhëtim në kuadër të xhiros së tetë të Superligës.

Pasi përfunduam bisedën për Superligën dhe Vushtrrinë, ishte e pa mundur të mos bisedonim edhe për sukseset e Përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtare e Shqipërisë. Këshilla e italianit 56 vjeçar ishte se nuk duhet të lazdrohemi por të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’. “Pak a shumë kam njohuri për Përfaqësuesen e Kosovës, pasi unë shikoj futboll 20 orë në ditë. Ndaj Çekisë zhvilloi ndeshje të madhe dhe taktika e trajnerit ishte ajo që sjelli fitoren, megjithatë duhet të qëndroni me këmbë në tokë dhe të mos lazdroheni. Anglia është një tjetër nivel nga rivalët tjerë që Kosova ka në grup. Ende nuk e kam parë një ndeshje të Shqipërisë nën drejtimin e Edy Reyas, por unë atë e njoh mjaft mirë. Në vitin 2005 ishim kundërshtarë për një ndeshje, në atë botë ai ishte trajner i Napolit, ndërsa unë i Pisa. Unë të dy palëve iu uroj shumë sukses në eliminatoret e “Euro2020”.

Strategu 56 vjeçar është lindur dhe rritur në Maglie. Maglie është një qytet i vogël në regjion të Lecces në juglindje të Italisë.

Image result for maglie italy
Sheshi kryesor i Maglie, Itali

 

Të jetosh dhe të jesh trajner i Vushtrrisë e të mos kesh njohuri për çajin tradicional që ky qytet njihet, është thjesht e pa mundur. Tashmë, edhe Toma ka njohuri dhe e ka provuar çajin e zi apo siç njihet në popull “çaji rus”. Toma ende nuk ka arritur të ambientohet me ushqimin, duke thënë se ai ushqehet me gjërat tradicionale të vendit të tij. “Po e kam provuar çajin, por zakonisht unë pi kafe. Sa i përket ushqimit i përmbahem ushqimit italian, pasta, sallata….” duke thënë se ushqimin tradicional të Kosovës ende nuk e ka shijuar.

Pasi përfunduam intervistën, ai iu bashkua futbollistëve të tij për të vazhduar seancën stërvitore.

Vlen të theksojmë se Toma ishte asistent i trajnerit të mirënjohur dhe aktual të Interit, Antonio Conte në skuadrat Bari dhe Atalanta.

 

Intervistën e zhvilloi gazetari Arbnor Luta

 

 

 

 

-->