Ekskluzive: Berisha flet për karrierën e tij dhe transferimin e tij në Fortuna Dusseldorf

Futboll 04 Shkurt 2020 19:12

Valon Berisha më 30 janar edhe zyrtarisht kaloi në klubin gjerman, Fortuna Dusseldorf, që bën gara në rangun më lartë në futbollin gjerman (Bundesliga). Reprezentuesi i Kosovës në një bisedë me Insportin ka treguar prapaskenat e transferimit të tij në futbollin gjerman dhe arsyet pse vendosi për Fortunën. Berisha, i lindur në Malmo, karrierën profesionale e filloi në Viking Stavanger në vitin 2010. Pas tri vitesh në Norvegji, ai kaloi në klub austriak Salzburg. Në Austri, ai shënoi 45 gola dhe dhuroi 65 asistime në 233 paraqitje në gara zyrtare, fitoi pesë tituj të kampionit dhe katër kupa. Reprezentuesi i Kosovës në 18 muajt e fundit ka luajtur për Lazion duke fituar Kupën e Italisë. Berisha zhvilloi tetë ndeshje në pjesën e parë të sezonit, duke përfshirë katër në Ligën e Evropës.

Arbnor Luta

 

Berisha është ndër futbollistët e pak të Përfaqësueses së Kosovës që kanë ndërruar ambient, gjatë afatit kalimtar të janarit që u mbyll më 31 janar. Mesfushori shqiptar debutoi me fanellën e Fortunës ndaj Eintracht Frankfurt dhe zhvilloi 77 minuta. “Vendosa për Fortunën, sepse ishin të interesuar shumë për mua edhe kishin shumë dëshirë të madhe që unë të transferohem, për t’iu ndihmuar në objektivat e klubit. Unë u ndjeva mirë, e dija se mundësitë për të luajtur janë të mëdha edhe në situatën time, minutazhi i madh është shumë i rëndësishëm, për t’u kthyer në formën më të mirë fizike dhe formën që e kisha më herët”, ishin fjalët e para të Berishës në bisedën me Insportin.

 

Fantazisti i mesfushës tregoi se Fortuna ishte klubi që e dëshironte me çdo kusht dhe kjo ka bërë që ai t’i pranoj ofertën. Ai nuk ka dëshiruar që të bëj emrat e klubeve që ishin të interesuar për të, pasi sipas tij nuk është korrekt, sepse tashmë është pjesë e Fortunës.“ Për këtë arsye kam vendosur, dëshira ime për me pas më shumë minutazh edhe dëshira e klubit, stafi i trajnerëve, njerëz për rreth klubit, më kanë shtyrë që unë të transferohem në Fortuna. Ka pas edhe klube tjera të interesuara në këto katër javët e fundit, por më të interesuarit ka qenë Fortuna, që nga fillimi i janarit dhe mendoj që është një zgjidhje e mirë për mua”.

Berisha sa ishte pjesë e klubit austriak Red Bull Salzburg kishte rënë në radarin e drejtorit më të mirë në futbollin italian, e që është legjenda e futbollit shqiptar, Igli Tare. Sigurisht, që në transferimin e tij në Lazio ka pas ndikim të madh, e po ashtu edhe në këtë lëvizje të fundit. Gjatë bisedës me Insportin, ka sqaruar rolin e Tares në këtë transferim të tij dhe përfshirjen e tij në transferimin te Fortuna. “Roli i Igli Tares në këtë transferim ka qenë shumë i madh. Është drejtor sportiv në Lazio, i cili vendos për çdo gjë, transferimet, huazimet dhe vendimet që merren brenda klubit. Plus, e ka një lidhje të fortë me Fortunën, pasi gjatë karrierës së tij ka luajtur për disa sezone dhe ndoshta i ka pas vitet më të mira, me shumë gola dhe këtu mbahet mend si një futbollist i madh dhe personalisht më ka treguar se është tifoz i madh i Fortunës dhe më ka uruar suksese”.

Tare gjatë karrierës së tij si futbollist, për dy vite ishte pjesë e Fortuna Dusseldorf, duke zhvilluar 64 paraqitje e shënuar 24 gola. Ish reprezentuesi i Shqipërisë, konsiderohet si një legjendë nga drejtuesit e klubit gjerman dhe tifozët.

Mesfushori 26 vjeçar për Insportin ka rrëfyer se nuk ka biseduar me përzgjedhësin e Kosovës, Bernard Challandes për këtë transferim, por ka biseduar sa ishte pjesë e Lazios. Berisha thotë se ka me Challandes ka biseduar se duhet të ketë minuta më shumë në këmbë që të jetë i gatshëm për mars. “Me Challandes nuk kam biseduar, pasi ma merr mendja që fund të fundit, futbollisti duhet me ditë pak më shumë se ku dëshiron të shkojë dhe ku të luajë. Normal, kam biseduar për situatën time dhe që do ishte mirë me lëviz nga Lazio, për të marrë minuta më shumë që të jem i gatshëm për muajin mars”.

Për Challandes, Berisha është një futbollist shumë i rëndësishëm në formacionin e tij dhe sigurisht se i duhet një Berishë në top formë për ndeshjen gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut, që Kosova e zhvillon më 26 mars, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Valon Berisha me drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare

 

Transferimi i tij në Lazio kishte bërë bujë të madhe në mediet shqiptare. Të gjithë ishin të gëzuar për transferimin e tij në një klub si Lazio, pasi një reprezentues i Kosovës do të veshte fanellën e ish kampionit të Serie A, fanellë që e kishin djersitur si Alessandro Nesta dhe Pavel Nedved. Megjithatë, aventura e tij në futbollin italian nuk shkoi ashtu siç ishte parashikuar. Lëndimet e shumta nuk e lejuan që të shfaqte kualitetet e tij dhe me një skuadër aktuale që ka Lazio, është e vështirë të jesh titullar.

Për Berishën, Lazio gjithmonë do të jetë një pikëpyetje. “Për çfarë nuk funksionoi në Lazio, aty gjithmonë ka me mbet ndonjë pikëpyetje, por nuk e di, është shumë vështirë me thanë. Viti i parë shumë i ngarkuar me lëndime, janë gjëra që ndodhin në futboll, gjithmonë mund të jesh i ngarkuar me lëndime. Fatkeqësisht më ka ndodhur mua. Në këtë sezon kam stërvitur shumë mirë prej kur jam kthyer nga lëndimi, kam zhvilluar disa ndeshje, por nuk kam qenë titullar e që ishte dëshira ime. Për këtë arsye jam larguar, që të luajë diku dhe të kthejë ritmin që e kam pas më herët. Dëshira ime e vetme është që vetëm të luajë, të kënaqem me futbollin tim, ta kem shëndetin dhe këto janë me të rëndësishmet për mua. Lazio jetë një pikëpyetje sipas meje, edhe fati, lëndime, disa gjëra tjera, ndoshta edhe unë nuk kam arritur të tregoj vetën ashtu siç është dashur”.

Në fund të bisedës, ai tregoi edhe raportet e tij me trajnerin aktual të Lazios, Simone Inzaghi dhe rivalin e tij direkt për një vend në formacion, Luis Alberto. Berisha tregoi edhe për raportet e tij të shkëlqyera me portierin shqiptar, Thomas Strakosha, i cili është numri një i portës së Lazios dhe sulmuesin me të rrezikshëm të Serie A për momentin, italianin Ciro Immobile.

“Për Immobile, nuk kam edhe nevojë shumë të flasë për të, pasi të gjithë po e shohin se çfarë futbollisti është për momentin, çfarë golashënuesi dhe futbollist shumë i mirë. Normal, nga Immobile mundesh të mësosh shumë, të stërvitesh me të e sheh se çfarë kualitete ka. Ka një goditje shumë të fuqishme, brenda zonës së rreptësisë është i mrekullueshëm, nga gjysmë rasti e shndërron në gol. Nëse vazhdon kështu, mendoj se do ta mposhtë Cristiano Ronaldon në garën për ‘Këpucën e Artë’ dhe me golat e tij do ta ndihmojë klubin që të përfundojë në pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Për, Strakoshën kam vetëm fjalë të mira, nuk ka me të, është super djalosh. Më ka pritur shumë mirë, më ka ndihmuar në fillim dhe kemi krijuar një miqësi shumë të mirë. E kam takuar familjen e tij, një familje ekstrem e mirë, me vlera fantastike edhe e kanë rritë një djalë ashtu siç duhet. Për Thomën si portier, është ndër më të mirët për momentin në Itali, pa dyshim se do të bëhet edhe më i mirë”.

Valon Berisha duke festuar golin e tij kundër Anglisë në kuadër të elimninatoreve të Kampionatit Evropian “Euro2020”

 

Berisha thotë se me Inzaghin për asnjë moment nuk pas ndonjë problem. Rivali i tij për një vend në formacion ishte spanjolli, Luis Alberto, që sipas 26 vjeçarit është një futbollist i kalibrit botëror. “Raportet me Inzaghin gjithmonë kanë qenë të mira. Është një trajner i mirë, kurrë nuk kemi pas ndonjë problem edhe ekipi është shumë e fortë, me klasë shumë të madhe dhe konkurrenti im direkt ka qenë Luis Alberto, për të cilin nuk kemi çfarë të flasim, një futbollist me klasë shumë të madhe, me shumë kualitet dhe po ashtu luan për kombëtaren e Spanjës”.

Berisha për Përfaqësuesen e Kosovës deri më tani ka zhvilluar 20 ndeshje, duke shënuar tre gola. Është një futbollist tejet i rëndësishëm për Challandes dhe nëse gjithçka shkon sipas planit me Fortunën, ai pritet të jetë titullar kundër Maqedonisë së Veriut.

Fortuna Dusseldorf është në vendin e 17 në Bundesligë me 16 pikë duke rrezikuar mbijetesën. Ndoshta, golat dhe asistimet e Berishës do ta ndihmojnë që të jetë pjesë e Bundesligës edhe për një sezon. /Insporti.com/

-->