Ekskluzive: Dy futbollistë të klubit së Superligës konfirmohen me koronavirus

Futboll 20 Korrik 2020 23:08

Pas rasteve me koronavirus në klubin e Flamurtarit, janë konfirmuar edhe dy raste në klubin e Drenicës. Bëhët fjalë për kapitenin e skuadrës, Azem Bejtën dhe Hys Tahiri, të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Arbnor Luta

Për Insportin ekskluzivisht e ka konfirmuar kryetarja e klubit, Mihane Kodra.

Insporti ka kontaktuar me kryetaren e klubit Mihane Kodra për të konfirmuar se skuadra është prekur nga koronavirusi.

Kodra deklaroi se kapiteni i Drenicës, Azem Bejta dhe Hysen Tahiri janë në gjendje të mirë dhe në vetëizolim. “Në klubin tonë kemi dy raste me koronavirus. Bëhët fjalë për Azem Bejtën dhe Hysi Tahiri. Bejta ka bërë testin dhe ka rezultuar pozitiv, sot kemi pranuar rezultatin, ndërsa Tahiri nuk është testuar por ka simptoma të forta. Të them të drejtën futbollistët janë të shqetësuar por do t’ia dalim edhe kësaj sfide”.

Azem Bejta, KF Drenica

Superliga e Kosovës është goditur nga koronavirus ditëve të fundit, pasi të shtunën e kaluar në klubin e Flamurtarit u konfirmuan dy raste.

Insporti raportoi ekskluzivisht se Gentrit Begolli dhe kryetari i klubit, Imer Ademi janë infektuar me koronavirus.

Një burim i Insportit brenda klubit të kryeqytetas ka thënë se ditëve në vijim futbollistët me stafin do të testohen.

Një tjetër rast me koronavirus është konfirmuar edhe në klubin e Vushtrrisë. Insporti ka raportuar ekskluzivisht se mirëmbajtësi i klubit ka rezultuar pozitiv, ndërsa futbollisti Etrit Halimi negativ.

Superliga ishte pezulluar për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë, ndërsa rifilloi më shtatë qershor.

Futbollistët e Superligës ishin testuar vetëm pasi futbollisti i Dritës, Izair rezultoi pozitiv me koronavirus.

Vlen të theksojmë se në ndihmë të FFK-së dhe IKSHP-së, i ka dalur edhe presidenti i KF Prishtinës, Remzi Ejupi i cili ka sjellur rreth 15 mijë teste.

Ejupi me disa donatorë kishin deklaruar se këto teste në rradhë të parë janë për qytetarët, por që mund të përdoren edhe për sportistët.

Ndryshe, deri më tani, në elitën e futbollit tonë, pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar Izair Emini (KF Drita), gjyqtari Ilir Mehmeti, Gentrit Begolli (KF Flamurtari), Imer Ademi (kryetar i Flamurtarit) dhe mirëmbajtësi i KF Vushtrrisë, Mërgim Halili.

Federata e Futbollit së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë hap rreth kësaj situate të krijuar, duke mos testuar futbollistët, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për të përfunduar kampionati.

Drenica të martën (nesër) zhvillon ndeshjen me Dritën në orën 17:00, kurse ndeshjen e fundit të sezonit e zhvillon ndaj Dukagjinit.

Për këtë ndeshje Drenica nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e kapitenit Bejtës dhe Tahirit, që do të jenë një mungesë e madhe për skuadrën pasi ende nuk kanë siguruar mbijetesën në Superligë.

Drita është lidere e Superligës me 65 pikë dhe do të udhëtojë për pikët e plota në Drenicë. /Insporti.com/

-->