Ekskluzive: Investitorët anglezë largohen nga KF Ferizaj

Futboll 16 Dhjetor 2019 11:40

Ferizaj pesë muaj më parë kaloi në pronësi të investitorëve anglezë duke premtuar se do ta shndërrojnë në klub serioz dhe se do të garojë në Ligën e Kampionëve.

Arbnor Luta

Por, kjo nuk do të ndodhë pasi premtimet e tyre do të mbesin vetëm në letër.

Burimet e Insportit bëjnë të ditur se investitorët anglezë të udhëhequr nga Brian Deane janë larguar nga klubi tash e një kohë.

Kryesia e klubit të Ferizajt këtë ende nuk ua ka konfirmuar futbollistëve dhe stafit të klubit.

Klubi i Ferizajt më shtatë korrik të këtij viti kishte kaluar në procesin e privatizimit. Vetëm pesë muaj më vonë klubi ka mbetur përsëri në udhëkryq.

“ZYRTARE; Brian Deane, Benjamin James Rees, Oliver Codrington janë aksionar te klubit tonë me 51% , ndërsa donatorët vendor 49%

Ferizaj, 07.07.2019; Sot edhe zyrtarisht klubi ynë eshtë privatizuar. Ish-futbollisti Anglez, Brian Deane me grupin tije , Benjamin James Rees, Oliver Codrington kan marrë 51% të aksioneve te klubit , ku kan premtuar një organizim shumë të mirë, dhe deklaruan se KF Ferizaj së shpejti do të jetë në Champions League”, ky ishte njoftimi zyrtar i faqes së klubit në rrjetin social Facebook.

Ndërsa, pjesa tjetër e aksioneve janë në pronësi të donatorëve të qytetit, shkruan Insporti.com.

“Siç e dini futbolli është synim primar për mua, andaj unë dua të vazhdoj kështu. Jam këtu për ta bërë Ferizajn një skuadër të fuqishme si dhe me një akademi të mirë të rinjve. Dëshiroj që edhe bashkëpunimi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës të vazhdojë në të gjitha sferat. Do ta zhvillojmë klubin e Ferizajt” ishte kjo deklarata e Deane pak momente pas zyrtarizmit të marrjes së klubit në pronësi të tij.

Ferizaj gjatë gjithë sezonit ka pasur probleme financiare po ashtu edhe në fushë, pasi rrezikojnë mbijetesën në Superligë.

Vëllai i Rio Ferdinandit është pjesë e grupit që privatizoi KF Ferizaj

Insporti ka raportuar për borxhin ndaj futbollistëve, pasi në dy muajt e fundit nuk janë paguar fare.

Megjithatë, i njëjti burim bën të ditur se të gjitha obligimet ndaj futbollistëve do të kryhen gjatë kësaj jave.

I pa kënaqur me gjendjen e klubit të Ferizaj është shprehur edhe trajneri Bekim Isufi.

I cili pas ndeshjes së fundit të sezonit vjeshtor ndaj Drenicës në Superligë, deklaroi se nuk mund të vazhdon kështu.

Isufi për Insporti ka deklaruar se shumë shpejtë do të takohet me kryesinë e klubit për të sqaruar të ardhmen e tij në klub.

Ferizaj sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dhjetë me 18 pikë. /Insporti.com/

-->