Ekskluzive: Kallëzime penale për kurdisje të ndeshjes në Mitrovicë

Futboll 10 Maj 2019 15:38

Takimi ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës, ishte regjistruar nga Federata e Futbollit të Kosovës me rezultat zyrtar 0:3 edhe pse vendësit kishin fituar në fushë.

Sipas raportimeve të mëhershme të Insportit, dyshohej për kurdisje sepse gabimi i zyrtarëve të Trepçës ishte shumë amatoresk – ata kishin inkuadruar një lojtar në pa të drejtë loje dhe kështu të fitojë në fushë dhe të humbë në tavolinë.

Dyshohet që “hile” është bërë me lojtarin Valmir Azemi, i cili është aktivizuar në lojë edhe pse ka qenë i suspenduar, duke i mundësuar kështu Fushë Kosovës të drejtën e ankesës dhe mundësisë së fitores në tavolinë.

Burime të Insportit nga prokuroria kanë bërë të ditur se tashmë janë ngritur katër kallëzime penale për zyrtarët e përfshirë në këtë ndeshje, pikërisht për kurdisje të rezultatit.

Insporti ka kontaktuar zyrtarë të FFK-së, të cilët nuk kanë dhënë informata për rastin, kurse nga Prokuroria e Mitrovicës kanë konfirmuar se fjala është për katër të akuzuar për vepër penale, por nuk kanë dhënë emrat.

Insporti kishte shkruar edhe se takimi ka qenë në buletinet e bastoreve dhe ka dyshime se rezultat 2:1 dhe përfundimi “nga 2 në 1”, ku ekipi mysafir udhëhoqi pjesën e parë, ka qenë pjesë e aranzhimit, gjegjësisht kurdisjes së ndeshjes.