Ekskluzive: Po ringjallet basketbolli në Pejë

Superliga 06 Gusht 2019 09:07

Peja vazhdon të mbajë epitetin e qytetit të basketbollit në Kosovë edhe pse KB Peja nuk funksionon, kurse KB Borea ra nga SUperliga në mungesë të parave dhe lojtarëve të për të zhvilluar aktivitet normal.

Për borxhe te trashëguara të KB Peja, Insporti kishte shkruar në detaje, për disa nga rastet që kanë përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar, por disa ish lojtarë të këtij klubi nuk dorëzohen.

Siç merr vesh Insporti, një grup i ish lojtarëve të Pejës, ndër të cilët Valdet Grapci, Dren Zatriqi, Dardan Kasapolli, Vigan Radoni dhe të tjerë, janë duke shikuar që të marrin përsipër menaxhimin e KB Borea dhe ngadalë të bashkojnë publikun, shkollat e basketbollit dhe sponsorët e qytetit të Pejës rreth një klubi të vetëm.

Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga krerët e FBK-së, gjegjësisht vetë Kryetari Arben Fetahu, i cili në Pejë kë takuar anëtarët e këtij grupi nismëtar.

Komuna e Pejës dhe disa sponsorë lokalë janë të domosdoshëm si përkrahës të kësaj ideje dhe pikërisht kontaktimi i tyre do të jetë hapi i ardhshëm i këtij grupi.

Borea ka rënë nga Superliga sezonin e kaluar, kurse këtyre ditëve është dashur të bëhet paraqitja e ekipeve për sezonin e ri.

FBK pritet që më pas të vendosë kriteret për licencim dhe të kuptohet nëse ekipet që kanë fituar të drejtën në parket, mund të garojnë në Superligë dhe në Ligën e Parë, apo ka mundësi për ndonjë ndryshim në sistem të garave, në rast se ndonjë nga ekipet tërhiqet ose nuk plotëson kushtet për licencim, shkruan Insporti.