Ekskluzive: Rruga e rikthimit të Arbër Zenelit në fushë

Kombëtarja 24 Mars 2020 15:56

Minutën e 38-të ndeshjes Mali i Zi – Kosova që zhvillohej në kuadër të elimintaoreve për “Euro2020”, Arbër Zeneli nuk do ta harrojë asnjëherë gjatë karrierës së tij. Fantazisti i Përfaqësueses së Kosovës, pësoi një lëndim të rëndë në gjurin e djathtë. Në atë moment të gjithë e kishin në mendje se ndodhi më e keqja për Arbërin dhe Kosovën, të gjithë shpresonin se ai nuk ka lënduar ligamentet. Arbëri nuk arriti të vazhdonte atë ndeshje, u zëvendësua nga Edon Zhegrova. Kosova luajti baras në atë ndeshje, por rezultati ishte në plan të dytë pas lëndimi të Zenelit dhe ende ishin në pritje të përgjigjes nga mjekët rreth natyrës së lëndimit së tij, shkruan Insporti.com.

Arbnor Luta

Një ditë pas ndeshjes, mjeku i Përfaqësueses së Kosovës, Murat Berisha për Insportin kishte deklaruar se rezonanca e parë magnetike ka treguar që Zeneli e ka të këputur ligamentin e përparëm kryqëzor të gjurit. Lajm i hidhur për Arbërin dhe pëzgjedhësin e “Dardanëve” Bernard Challandes, i cili ndërtoi skuadrën rreth tij.

Insporti ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Arbër Zenelit, pas rikthimit të tij nga lëndimi, që e mbajti jashtë fushave të gjelbërta për një kohë të gjatë. Ky kthim i tij duket se është në kohën e duhur për Kosovën, para ndeshjes jetike me Maqedoninë e Veriut në Ligën e Kombeve, që do të zhvillohet më katër qershor. Vlen të theksojmë se Kampionati Evropian “Euro2020” është vendosur të zhvillohet në vitin 2021, për shkak të pandemisë Covid19, që ka kapluar gjithë botën në muajt e fundit.

Zeneli është shprehur tejet i lumtur për rikthimin e tij dhe thotë se është më i fortë se kurrë, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës dëshiron të shkruajë historinë. “E ndjej vetën shumë mirë dhe po më duket larg deri sa të rikthehem në Përfaqësuese, të stërvitem me djelmoshat dhe së bashku të shkruajmë historinë”.

Lëndimi i ligamentit erdhi në kohën më të mirë, pasi ishte në formë të lartë si për klubin francez Reims, ashtu edhe për përfaqësuesen me golat e asistimet. Asnjë sekond i ndeshjeve të Kosovës, nuk i ka ikur duke e përkrahuar nga ekranet televizive. “Nuk e kam menduar në atë mënyrë, isha i fokusuar në lëndimin dhe i kam përcjell ndeshjet e Kosovës të gjitha dhe vetëm ju kam uruar suksese bashklojtarëve”, ai shton se në momentin që mori goditjen në gjurin e djathtë, i është frikësuar më të keqes. “Pas ndërhyrjes që shkaktoi lëndimin tim, në atë moment e kam kuptuar se është ligamenti, ishte moment i rëndë për mua, familjen time dhe gjithë Kosovën”.

 

Për Insportin, Zeneli ka zbuluar edhe një detaj interesant nga jeta e tij personale. Mesfushori sulmues nga Mitrovica kishte planifikuar që t’i propozonte fejesë së dashurës së tij, pas ndeshjeve me Kosovën në atë kohë, por që lëndimi ia mohoi një gjë të tillë. “Po të mos ndodhte lëndimi, pas përfundimit të obligimeve me Përfaqësuesen në atë kohë, e kisha në plan që të shkoja në pushime në Dubai dhe t’i propozoja fejesë të dashurës”.

Ylli 25 vjeçar tashmë këtë periudhë të errët e ka vendosur në faqe të historisë dhe ka ecur drejt sfidave të reja. Një nga sfidat e tij më të rëndësishme tani do të jetë rikthimi për ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Ligës së Kombeve. “Me emër të Zotit, unë do të jem i gatshëm për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, lëndimi i takon tashmë të kaluarës. Jam stërvitur fortë, koha e rikuperimit nga ky lëndim ishte i gjatë, por nuk jam dorëzuar asnjëherë. Kam pasur mbështetjen e familjes dhe klubit Reims. Jam në top formë, gjatë gjithë periudhës sa kam qenë i lënduar, kam komunikuar me Challandes.

Familja Zeneli Kosovës i ka dhuruar dy futbollistë të shquar, tashmë Arbëri pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses dhe Besforti, i cili po shkëlqen për të rinjtë e klubit suedez Elfsborg, klub në të cilin edhe Arbëri është formuar si futbollist. Ëndrra e tyre është që të luajnë bashku për Kosovën një ditë. “Është shumë talent i madh dhe ëndrra e përbashkët është që të jemi së bashku në Përfaqësuesen e Kosoves por edhe në klube të evropës”.

Rikthimin e tij e bëri në janar të vitit 2020 në barazimin e Reims kundër Monacos, duke i zhvilluar pesë minuta si zëvendësues. Ndërsa, ndaj Brest ishte vetëm pjesë e skuadrës.

 

Në vitin 2018, Arbëri ishte zgjedhur futbollisti i vitit i Kosovës. Deri më tani ka zhvilluar 25 ndeshje për Kosovën, duke shënuar shtatë gola.

Në janar të vitit të kaluar kaloi në klubin francez Reims, duke zhvilluar 15 ndeshje. Shënoi tre gola dhe dhuroi tre asistime. /Insporti.com/

-->