Ekskluzive: Visar Bekaj flet pas incidentit në Gjilan

Visar Bekaj u shndërrua në protagonistin e derbit Gjilani – Prishtina, në momentin kur u ndëshkua me kartonë të kuq direkt. Minuta e 47-të e ndeshjes zhvillohej kur Bekaj liroi portën e tij për të larguar rrezikun i cili i kanosej Prishtinës nga Gerhard Progni, e cila doli të jetë fatale për të.
Arbnor Luta
Numri një i Prishtinës në një prononcim ekskluziv për Insportin është shprehur shumë i zhëngjyer duke mos dashur shumë ta komentojë vendimin e gjyqtarit, pasi sipas tij “diçka që është parë qartë nuk ka çka të komentojë”.
“Jam shumë i dëshpëruar me atë së çfarë ndodhi sot gjatë ndeshjes dhe pas. Diçka çka është parë qartë, unë besoj se nuk do edhe shumë koment. Unë shpërtheva në lot pasi lash bashkëlojtarët në gjysmë të betejës, isha shumë i emocionuar. Jam i sigurtë se nuk meritoja kartonin e kuq por ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Shpresoj kjo çfarë ka nodhur sot, të mos përsëritet kurrë më”.
Numri një i Prishtinës u përplas me Prognin dhe gjyqtari i ndeshjes Kreshnik Vula akordoi gjuajtje të lirë për vendësit dhe ndëshkoi me kartonë të kuq duke e lënë Prishtinën me një futbollistë më pak në fushë.
Vendimi erdhi nga kryesori Vula, pasi që asistenti Fatmir Sekiraqa nuk e ngriti ‘flamurin’ fare edhe pse pati konsultime ndërmjet gjyqtarëve, të cilat tashmë i di edhe kontrollori i ndeshjes, por që nuk dihen për publikun.
Bekaj liroi fushë me lot në sy, pasi nuk mund ta besonte se është ndëshkuar me kartonë të kuq në një ndeshje të rëndësishmë siç ishte kjo e ditës së sotshme ndaj Gjilanit.
Me të përfunduar ndeshja trajneri i Prishtinës, Armend Dallku dhe disa futbollistë të skuadrës kryeqytetase u spërkaten me sprej nga ana e Policisë së Kosovës, ani pse nuk rrezikon sigurinë e gjyqtarëve.
Ndërsa, mesfushori Lorik Boshnjaku pas ndeshjes është dërguar me urgjencë në spital pasi sipas Prishtinës ka prerë dorën.


Në mbështetje të klubit kryeqytetas tashmë kanë dalur disa klube të Superligës, të cilat kanë dënuar ashpër sjelljen e Policisë së Kosovës.
Gjilani me këtë fitore renditet në pozitën e tretë me 58 pikë, ndërsa Prishtina me 57 pikë. /Insporti.com/
