“El Clasico” i takon Real Madridit – marrin kreun e La Ligas

Futboll 01 Mars 2020 22:52

Real Madridi ia ka dalë të mposhtë Barcelonën në një ‘El Clasico’ tejet të tensionuar, në “Santiago Bernabeu”.

Ndeshja e xhiros së 26-të në La Liga, e rëndësisë të madhe në garën për titull, i takoi ekipit të udhëhequr nga Zinedine Zidane që fitoi me rezultatin e pastër 2:0, shkruan Insporti

Pas një pjese të parë të balancuar, me të dyja ekipet që krijuan rastet, në pjesë të dytë madrilenët u treguan më kërkues dhe më dominues.

Pikërisht pas një intensiteti të shtuar në pjesë të dytë, në minutën e 71-të vendësit i kaloi në epërsi i riu Vinicius Junior, që depërtoi në krah të majtë pas një asistimi maestral të Toni Kroosit.


Pamje: Vinicius Junior e kalon në epërsi Real Madridin

Fitoren e madrilenëve krejt në fund e vulosi i inkuadruari në minutën e fundit të ndeshjes, Mariano Diaz, që në minutën e 90+2′ shënoi për rezultatin përfundimtar 2:0.

Për pjesën më të madhe të ndeshjes Messi nuk tregoi shumë dhe ishte pothuajse i izoluar. Ai pati një rast të mirë në pjesë të parë, por goditja e tij qëndrore nga brenda zonës u bllokua nga Thibaut Courtois.

Ndërkaq, gjurmë nuk arriti të lë as Antoine Griezmann, derisa rast të mirë për katalonasit në pjesë të dytë pati i inkuadruari në pjesë të dytë, Martin Braithwaite.

Fitorja e sotme do të thotë se Real Madridi tani ka marrë kreun me 56 pikë [një pikë më shumë se Barcelona] pas 26 xhirove në kampionatin spanjoll. /Insporti.com/

Goli i Vinicius për 1:0
Goli i Diaz për 2:0

-->