‘El Clasico’ nuk luhet në Barcelonë për shkaqe sigurie, zhvendoset në Argjentinë?

Futboll 17 Tetor 2019 15:10

‘El Clasico’ i 26 tetorit ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit mbetet ende pezull për shkak të situatës politike në Kataloni.

Federata Spanjolle e Futbollit ka propozuar që ‘El Clasico’ i parë i këtij edicioni të zhvendoset në “Santiago Bernabeu”, ndërkohë që në duelin kthyes ku Real Madrid do të jetë vendas të zhvillohet në “Camp Nou” për shkaqe sigurie.

Por, kjo ide është kundërshtuar menjëherë nga dy klubet, të cilat kanë pranuar që ndeshja të shtyhet, por jo edhe të ndërrohet lokacioni i stadiumit.

Megjithatë, një ide tjetër vjen nga Argjentina, teksa e përditshmja sportive argjentinase, Ole, ka propozuar që ndeshja të zhvillohet në Buenos Aires.

“Çka nëse vijnë ta luajnë atë në Argjentinë? Kthim i favorit”, ka shkruar Ole duke iu referuar finales së “Copa Libertadores”, e cila u zhvillua edicionin e kaluar në “Santiago Bernabeu” për shkak të sigurisë.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë epilogu final i kësaj ‘drame’ dhe se ku do të zhvillohet derbi më i madh në botën e futbollit. /sheshi/