‘Elite Youth’, mbahet grumbullimi i parë në Gjakovë

Futboll 24 Shkurt 2020 11:46

Projekti “Elite Youth Development Programme U15” ka vazhduar të dielën në Gjakovë, ku për herë të parë janë grumbulluar mbi 30 talente nga shkollat dhe klubet e futbollit të Regjionit të Gjakovës.

Fillimisht pjesëmarrësit e këtij grumbullimi i përshëndeti përgjegjësi i projektit, Edmond Rugova, i cili i njoftoi futbollistët e rinj për ecurinë e deritashme të këtij projekti në komunat tjera si dhe për atë çfarë synohet me këtë program.

Ai u dha kurajë këtyre talenteve që të japin më të mirën e tyre, duke ua bërë me dije se përzgjedhja e më të mirëve nga ky regjion do të bëhet pas grumbullimit të dytë që do të mbahet javën e ardhshme, njofton FFK.

Nga afër këtë grumbullim e ndoqi edhe anëtari i KE të FFK-së nga ky regjion, Agim Nura, i cili uroi që lojtarët e rinj të japin më të mirën e tyre para trajnerëve të këtij projekti, derisa theksoi se KE i FFK-së në vazhdimësi do t’i japë prioritet zhvillimit të futbollit tek të rinjtë.

Ashtu sikurse në qendrat e tjera edhe në Gjakovë pati performancë të mirë të talenteve, megjithëse konkurrenca ishte më e vogël. Gjithesi, edhe këtu u dëshmua se kemi të ardhme të ndritshme por se duhet të punohet në vazhdimësi me profesionalizëm dhe përkushtim.

-->