Elseid Hysaj i lidhur ngushtë me kalimin te kjo skuadër

Futboll 13 Korrik 2018 13:58

Me konfirmimin e lajmit, se trajneri italian Antonio Conte do të largohet përfundimisht nga Chelsea, tani pritet vetëm zyrtarizimi i teknikut të ri në stolin e “Bluve” të Londrës, Maurizio Sarri.

Sarri u largua nga Napoli, mirëpo synimi i trajnerit 59-vjeçar është të marrë me vete në “Stamford Bridge” edhe disa futbollistë, për të cilët ai mendon se do të ishin përforcime të duhura drejt objektivave të teknikut italian në aventurën e tij të re.

Në mesin e atyre që po përflitet tash e një kohë për t’u larguar nga skuadra napolitane drejt Chelseat, është mbrojtësi i djathtë shqiptar, Elseid Hysaj.

Mirëpo, së fundmi mundësia për kalimin e Hysajt te “Blutë” e Londrës është rritur ndjeshëm, e këtë mund ta bëjë edhe më të mundshme familja e Elseid Hysaj, e cila jeton në Londër dhe ky ribashkim do t’i konvenonte mjaft reprezentuesit të Shqipërisë.

Klauzola e lirimit të Hysajt thuhet se është 50 milionë funte, derisa shtypi italian raporton se bisedimet me skuadrën angleze veçse kanë filluar, por ende nuk dihet nëse Chelsea do të pranojë ta paguajë këtë shumë.

Mbetet të shihet po ashtu edhe reagimi i presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis, nëse do të këmbëngulë në këtë shumë apo do të bëjë zbritje të çmimit, duke e parë se dëshira e lojtarit është për të ikur, por edhe trajneri Carlo Ancelotti nuk e konsideron Hysaj si lojtar të pazëvendësueshëm, ndryshe nga paraardhësi i tij. /Insporti.com

-->