Elseid Hysaj merr një këshillë për ta ardhmen e tij

Futboll 06 Prill 2018 10:47

Njeriu i cili ka menaxhuar lojtarë si Maradona, Zidane, Del Piero, Buffon, Ibrahimovic, Fabio Cannavaro etj., ka një këshillë për mbrojtësin e krahut të Napolit dhe Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj.

Luciano Moggi i ka dërguar një mesazh sugjerimi Hysajt, duke i thënë që të mos ngutet për t’u larguar nga skuadra e Napolit, sepse sido që të shkojë ky sezon, ai shumë shpejt do të mund të fitojë titullin kampion në Serie A, pasi që sot luan në njërën nga ekipet më të mira në Itali.

Moggi e cilëson Elseid Hysaj si një nga lojtarët më të mirë të Napolit sot, por nuk ngurron t’u thurë elozhe edhe Thomas Strakoshës dhe Etrit Berishës.

“Ka disa futbollistë shqiptarë që janë vërtet të shkëlqyer dhe të cilët janë të gatshëm të luajnë në nivelet më të larta. Po e shoh Strakoshën me Lazion dhe duket që ka brumë ai djalë. Por është edhe Hysaj, që është sot një nga lojtarët më të mirë që ka Napoli, e po ashtu edhe Berisha është një portier i mirë. Me këtë dua të them se Shqipëria ka vërtet shumë potencial”, tha Moggi për gazetën shqiptare “Panorama Sport”.

Duke u pyetur lidhur me të ardhmen e Elseid Hysaj me Napolin, Luciano Moggi tha se mendon që ai duhet të qëndrojë tek Napoli dhe Hysaj ka motive të forta për ta bërë këtë gjë.

“Ai është shumë i ri dhe sido që të shkojë ky sezon, Hysaj është pjesë e një skuadre që po rritet vit pas viti dhe sezonin e ardhshëm, me gjasë do të jetë edhe një nga favoritët për ta fituar titullin në Serie A. Të luftosh për titull në Serie A, nuk është pak për asnjë lojtarë dhe mendoj se Elseid Hysaj duhet të qëndrojë aty dhe të mos largohet për momentin”, përfundoi deklaratën e tij Luciano Moggi. /Insporti.com

-->