Elseid Hysaj mund të ndërrojë ambient në verë

Futboll 07 Mars 2018 13:51

Elseid Hysaj është një prej lojtarëve më të rëndësishëm për ekipin e Napolit, por edhe një prej më të kërkuarve në afatin kalimtarë nga top skuadrat evropiane.

Mbrojtësi anësor i Kombëtares kuqezi, prej kohësh është në radarët e ekipeve si Barcelona, Atletico Madrid, Manchester United apo edhe Chelsea.

Kësaj liste tashmë duket se i është bashkangjitur edhe gjiganti italian Juventus, i cili seriozisht është duke e shqyrtuar blerjen e 24 vjeçarit gjatë verës.

“Zonja e Vjetë” ishte edhe më herët në listën e kandidatëve, por me sezonin që po shkon drejt fundit dhe afrimin e afatit të transferimeve, skuadra nga Torino e ka rikthyer interesimin për Hysajn, që mund të luajë si në krahun e djathtë, po ashtu edhe atë të majtë.

Duke vlerësuar situatën e krijuar, drejtuesit e Napoli-t janë duke menduar që të marrin masat për të mos e humbur yllin shqiptar, sepse vetëm klauzola në vlerë prej 50 milionë euro, mund të mos mjaftojë.

Presidenti Aurelio De Laurentiis, edhe pas konsultimeve që pati me trajnerin Maurizio Sarri, ka vendosur mos ta shesë mbrojtësin. Kjo mund të jetë ndoshta edhe një lloj manovre, për ta mbajtur skuadrën të përqendruar deri në fund te lufta për titullin, edhe sepse deri në hapjen e afatit të transferimeve gjithçka mund të ndodhë.

Klubi në fund, vështirë se do të mund ti thoshte “jo” milionave për Elseid Hysajn, por edhe vetë mbrojtësi shqiptarë nuk do ta refuzonte kalimin në ndonjë prej skuadrave më të mëdha të Evropës. /Insporti.com

-->