Emery e “konfirmon” transferimin e Ramsey te Juventusi!

Futboll 11 Janar 2019 08:52

Aaron Ramsey ka arritur marrëveshje me Juventusin për t’u transferuar gjatë verës në Serie A si lojtar i lirë.

Ky është lajmi që dhanë gjatë ditës së djeshme gjitha mediet britanike e ato italiane, e që në njëfarë mënyre, është konfirmuar edhe nga trajneri i “Topçinjve”, Unai Emery.

Emery ka thënë se e respekton vendimin e Ramsey, kontrata e të cilit i përfundon në qershor dhe klubi londinez nuk i ka ofruar ende rinovimin.

“Respektoj vendimin e tij, totalisht”, ka thënë Emery.

“Nuk mund të them shumë në lidhje me situatën. Për ne, gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë i fokusuar te Arsenal, të tjerat janë pjesë e një vendimi personal të tij. Por jam shumë i lumtur që deri tani vazhdon të jetë me ne”.

Aaron Ramsey është pjesë e Arsenalit që nga sezoni 2008/09.

Ai ka bërë 354 paraqitje deri më tani në të gjitha garat, duke realizuar 61 gola. /Insporti.com/