Emery pyetet për veprimin e Xhakës që i kushtoi Arsenalit – ka këtë koment

Futboll 01 Tetor 2019 08:55

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery është pyetur për performancën e Granit Xhakës në derbi me Manchester Unitedin, ku ekipet u ndanë baras, 1:1.

Në “Old Trafford”, Xhaka zhvilloi takimin e parë pasi u zgjodh si kapiten i përhershëm ‘Gunners’ këtë javë, shkruan Insporti

Xhaka, të cilin Emery e konfirmoi si kapiten të ekipit, u kritikua fuqishëm në rrjete pas golit të parë të cilin e shënoi Manchester Unitedi, në barazimin e xhiros së 7-të të Premierligës.

Mesfushori shqiptar u pa të ulte kokën, në momentin kur Scott McTominay gjuajti drejt portës nga rreth 20 metra, gjuajtje e cila përfundoi në rrjetë.

Trajneri Unai Emery e ka mbështetur reprezentuesin e Zvicrës, duke thënë se ishte shumë i angazhuar në fushën e lojës.

“Ai punoi me angazhim të madh”, tha Emery në konferencë prë shtyp, pas barazimit 1:1, që e ngjiti Arsenalin në top 4-she të tabelës.

“Ai kthehej vazhdimisht prapa. Por nuk e kam parë atë veprim [uljen e kokës]”, shtoi Emery.

“E pashë se ai po kthehej vazhdimisht prapa dhe ishte i përsosur në këtë”, përfundoi Emery.

Xhaka, që këtë javë mbushi 27 vjet, është kapiteni i nëntë i përhershëm i Arsenalit, që nga viti 2005. /Insporti.com/