Emeryn e pyesin se a do ta pasojë Mourinho te Arsenali – ai përgjigjet me tri fjalë

Futboll 07 Nëntor 2019 11:46

Unai Emery e ka ripërsëritur se ai është ende trajner i Arsenalit, pas thashethemeve se klubi londinez do ta shkarkojë atë dhe do ta zëvendësojë me Jose Mourinhon. Pak janë ata që besojnë në këtë spekulim por kjo thashetheme po ndikon tek londinezët.

Emery është nën presion të madh pasi është duke u përballur me kritika të ashpra javët e fundit, për shkak të formës së dobët të skuadrës së tij, veçanërisht në Premierligë.

Të mërkurën, Arsenali barazoi 1:1 me Vitoria në Ligën e Evropës, me golin e Shkodran Mustafit në minutën e 80-të që ishte i pamjaftueshëm për të triumfuar, sepse Bruno Duarte shënoi me gërshërë në kohën shtesë.

Ky rezultat ishte vazhdimësi e paraqitjeve të dobët në ndeshjet e fundit. Klubi nga Londra Veriore e ka fituar vetëm njërën prej gjashtë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, duke e lëshuar nga dora epërsinë në katër ndeshjet e fundit.

Mourinho, ndërkohë, vazhdon të jetë i papunë që prej se u shkarkua nga Manchester Unitedi në dhjetor të vitit të kaluar, dhe të dielën u raportua se ai ishte takuar me drejtuesit e Arsenalit për të biseduar për postin e trajnerit.

Edhe pse thashethemet për një takim të tillë u mohuan nga klubi, Emery u pyet të mërkurën pas barazimit në Portugali.

I pyetur nëse shqetësohet që Mourinho mund ta zëvendësojë në postin e trajnerit, Emery u përgjigj shkurt dhe shpejt: “Unë jam trajneri”.

-->