Emocionuese, Muriqi tregon historinë e babait të tij: Amanetin e tij e kam arritur, isha vetëm shtatë vjeçar kur ai ndërroi jetë

Kombëtarja 09 Korrik 2019 18:34

Transferimi i Vedat Muriqit në Fenerbahce ka bërë buj të madhe në mediet turke dhe kosovare, shkruan Insporti.com.

Muriqi gjatë vikendit që shkoi kompletoi transferimin e tij duke nënshkruar kontratë katërvjeçare me Fenerbahce.

Gjiganti turk për t’i siguruar shërbimet e tij ka paguar 3,5 milionë euro dhe dy futbollistë do të huazohen në Rizespor.

Gjatë ditës kur ai po prezantohej si futbollist i Fenerit, vëllai i futbollistit, Narcin, ka rrëfyer një moment emocionues që i referohet babait të tyre.

“Baba, djali yt së shpejti do të arrijë edhe një sukses. Atë që e la t’i përgjysmë, ai po vazhdon ëndrrën tënde”, pohoi ai.

Vedati ndër të tjerash ka treguar se babai i tij ka qenë futbollist në Prizren, por që nuk ia ka arrit dot.

“Kam filluar në Kosovë. Më së rëndi e kam përjetuar vdekjen e babait, isha vetëm shtatëvjeçar. Edhe babai im ishte futbollist. Trajneri nuk e kishte marrë në një kamp. Ai ishte zemëruar dhe më pas filloi të luajë hendboll”.

“Ai ishte ndër më të mirët në këtë sport. Ai më pas iu kthye futbollit dhe pas një sulmi në zemër duke luajtur futboll, vdiq midis fushës. Babai ka kërkuar që të bëhem futbollist dhe këtë ia kam arritur”, ka pohuar ai.

Ish sulmuesi i KF Lirisë së Prizrenit për katër sezone do të fitojë tetë milionë euro.

Sezonin e kaluar Muriqi ishte i pandalshëm duke shënuar 17 gola dhe dhuruar tetë asistime për Rizespor. /Insporti.com/